Antropologjia dhe etnologjia kanë në regjistrat e vet raste nga më të jashtëzakonshmet që ndonjëherë nuk i gjen as në mbamendjen e më të moshuarve. Duken aq interesante deri në të pabesueshme si rituale që kanë bërë pjesë në jetën e përditshme të njerëzve. E përdorur në gjuhën shqipe edhe në gjuhën figurative poetike si : “do më mërkosh…”. Fjalë e përdorur në fjalorin e K. Kristoforidhit që e ka hasur në rrethinë të Elbasanit në Shqipëri. Por, çfarë është mërkoshi? I qasemi fillimisht fjalorit :
MËRKOSH m. etnogr. Burri që dergjej në shtrat si lehonë dhe priste e përcillte njerëzit që vinin për të uruar, kur i lindte gruaja.
Etnografët dhe antropologët thonë se kjo dukuri ka qenë e pranishme te popujt paraindoevropianë, disa thonë se në zonat e Elbasanit deri vonë janë parë mërkoshat.
Sipas interpretimeve disa thonë se këtu fshihen gjurmët e matriarkatit, pasi gratë duke pasur role më të rëndësishme në jetën e përditshme duke u marrë me ekonominë dhe organizimin e shoqërisë, nuk kishin kohë të rrinin e të “mërkoshin”, ndaj këtë gjë e bënin burrat për mrekulli, duke u shtrirë për 40 ditë në shtrat për të pritur e përcjellur miqtë që vinin për urime. Interpretime të tjera thonë se kjo kishte të bëjë me njohjen e atësisë. Autori i shtrirë pranë veprës së tij. Sidoqoftë, ky zakon thuhet se u ndërpre nga Skenderbeu pasi duheshin burra për luftë në vend që të shtiheshin si llahusë që në frazeologjinë shqipe përdoret në konotacion negativ, si ai që rri pa bërë gjë.
Në zonën e Dumresë së Elbasanit përpara fundit të shekulli XIX, ka qenë një valle rituale që mendohet se kishte lidhje me mërkoshat e që quhej ” Vallja e lehonave”. Për këtë fenomen kanë shkruar disa studiues, në mesin e të cilëve edhe eruditi Moikom Zeqo në shkrimin e tij ” Shqipëria, vendi ku burrat shndërrohen në gra dhe gratë në burra” i cili bindshmëm thotë se janë shenjat e matriarkatit dhe se kanë mbijetuar te shqiptarët dhe te baskët. Sipas Zeqos i bazuar dhe në vështrimin antropologjik të Claud Levi Strauss mbi këtë fenomen ai veçon këndvështrimin:”si riti i shndërrimit të burrave në gra ashtu dhe riti i shndërrimit të grave në burra burojnë nga matriarkati. Rasti i parë nuk e merr parasysh virgjërinë madje ka të bëjë me lindjen e fëmijëve. Rasti i dytë merr parasysh një virgjëri të përherëshme dhe mohon lindjen e fëmijëve si vijimësi e familjes.”
Sipas gjuhëtarit Eqrem Çabej kjo fjalë e mërkoshit në gjuhën universale antropologjike njihet me emrin “kuvadë”. Në gjuhën mjekësore mendohet se edhe burri ka simptoma shtatzënie kur gruaja e tij është me barrë, ndaj ka një term mjekësor që shpjegon këtë dhe quhet sindromi i kuvadës. Fjala nga frengjishtja “kuvadë” (couver, që do me thënë ” të ulesh mbi diçka, të ngrohësh vezët, e pulës) e që në shqip e gjejmë sinonimike me: “klloçkë” si praktikë, çuditërisht përkon me ritin e mërkoshit.
Sipas studiuesit të sipërpërmendur M. Zeqo, kuvada mendohet të ketë lindur në fazën e fundit të matriarkatit, kur matriarkati ishte në krizë dhe nis dhe lartësohet roli i burrit mbi atë të gruas, për këtë arsye burri demonstron se gjoja ka edhe atributet e gruas, kështu ai meriton lavdërimet e lindjes së fëmijës.
“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”