Femicid: Fadil Zejnelov u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e Emilija Peshevës

Gjykata Themelore në Shtip sot e dënoi me burgim të përjetshëm personin Fadil Zejnelov për vrasjen e 29 vjeçares Emilija Pesheva.

Në seancën e mëparshme, para dy ditëve, i dënuari Zejnelov e pranoi fajësinë për vrasjen e partneres së tij, Pesheva. Ai deklaroi se motivi i vrasjes, e kryer më 1 nëntor të vitit të kaluar, ishte xhelozia dhe tradhtia.

Prokurori dhe avokatët e familjes Pesheva kërkuan dënim me burg të përjetshëm për autorin, duke theksuar se bëhet fjalë për një vrasje në kontekst të dhunës në familje, pra një rast të femicidit.

Sipas hetimeve të Prokurorisë Themelore Publike, për vrasjen e Peshevës janë siguruar prova që tregojnë se më 1 nëntor 2024, gjatë ushtrimit të dhunës në familje, i akuzuari me paramendim ia mori jetën partneres së tij jashtëmartesore.

Pasi u dakorduan për një takim para shtëpisë së saj, ata së bashku shkuan në një objekt të braktisur të Ndërmarrjes Publike “Isar” për të biseduar rreth problemeve në marrëdhënien e tyre disavjeçare. Biseda u kthye në një debat të ashpër, pas së cilës i akuzuari e sulmoi fizikisht viktimën, duke e goditur me grushte. Kur ajo ra në tokë, ai filloi ta shtrëngonte fort në qafë, duke shkaktuar ndalimin e frymëmarrjes dhe bllokimin e qarkullimit të gjakut në tru, gjë që çoi në vdekjen e saj. Pasi u sigurua që ajo nuk jepte më shenja jete, ai u largua nga vendi i ngjarjes dhe vetë u paraqit në Stacionin Policor të Shtipit.

Viktima më parë kishte raportuar dhunë, por procedura kundër Zejnelovit ishte pezulluar më 2 shtator 2024, gjë që atëherë u konfirmua edhe nga Qendra për Punë Sociale në Shtip.

Të tjera