Zyrtarët në Gaza bëjnë të ditur se 70% e palestinezëve të vrarë janë gra dhe fëmijë

Shumica e viktimave të luftës izraelite në Gaza janë gra dhe fëmijë, sipas të dhënave të publikuara nga zyrtarët e mediave të qeverisë së Gazas.

Të dhënat tregojnë se “69% e viktimave janë fëmijë dhe gra”. Numri i fëmijëve të vrarë është 16,715, ndërsa numri i grave të vrara është 11,308.

Duke shënuar “335 ditët e gjenocidit”, zyra e medias nënvizoi se 3556 masakra janë kryer nga ushtria izraelite kundër palestinezëve në Gaza që nga fillimi i luftës. Numri i përgjithshëm i vdekjeve tani është 40,878, ndërsa 10,000 të tjerë janë të zhdukur, ende nën rrënoja ose në paraburgim izraelit.

Deklarata e zyrës për media shton se afro 1000 punonjës mjekësorë dhe punonjës të mbrojtjes civile janë vrarë nga forcat izraelite. Numri i gazetarëve të vrarë tani është 172. Gjithashtu, shtatë varre masive janë gjetur brenda spitaleve në Rripin e Gazës, raporton The Cradle.

Mbi 170 strehimore të të zhvendosurve janë bombarduar, 200 ndërtesa qeveritare dhe 123 shkolla e universitete janë shkatërruar.

Të paktën 280,000 njësi banimi janë shënjestruar ose shkatërruar dhe mbi 80,000 ton eksploziv janë hedhur në territorin e rrethuar. Raportohet se 2 milion palestinezë janë zhvendosur dhe 30 palestineze kanë vdekur nga uria.

Të dhënat dolën menjëherë pasi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, paralajmëroi se “situata humanitare në Gaza mbetet përtej katastrofike”. Ai shtoi se ka pasur një rënie prej 35 për qind të ushqimeve për ata që kanë nevojë.

Ky artikull fillimisht është publikuar në QIKA.

Të tjera