‘Unë jam përdhunues’, pranoi 71 vjeçari që kishte rekrutuar mbi 50 burra t’ia përdhunojnë bashkëshorten

Dominique Pelicot, 71-vjeçari i akuzuar se ka droguar gruan e tij për ta bërë të flejë dhe ka rekrutuar dhjetëra burra për ta abuzuar për më shumë se 10 vite, ka pranuar të gjitha akuzat ndaj tij në seancën e tij të parë që nga fillimi i gjyqit më 2 shtator.

Duke iu referuar 50 të akuzuarve tjerë për përdhunimin e ish-gruas së tij, Gisèle, i akuzuari kryesor, ish-bashkëshorti Pelicot deklaroi sot: “Jam përdhunues, njëlloj si të tjerët në këtë sallë.”

“Ata të gjithë e dinin, nuk mund të thonë të kundërtën,” tha ai. Vetëm 15 nga gjithsej 50 të akuzuar e pranojnë se kanë përdhunuar, ndërsa shumica thonë se morën pjesë vetëm në akte seksuale.

Për ish-gruan e tij, Pelicot tha: “Ajo nuk e meritonte këtë.”

“Kam qenë shumë i lumtur me të,” i tha ai gjykatës.

Gisèle, e cila pati mundësinë të përgjigjej menjëherë pas tij, tha: “Është e vështirë për mua ta dëgjoj këtë. Për 50 vite, jetova me një burrë për të cilin kurrë nuk do të kisha imagjinuar se mund të bënte diçka të tillë. I besoja plotësisht.”

Megjithëse kamerat nuk lejohen në gjykatë, gjyqi është i hapur për publikun me kërkesë të viktimës Gisèle Pelicot, e cila hoqi dorë nga e drejta për anonimitet në fillim të procesit gjyqësor. Ekipi i saj ligjor tha se e kanë marrë këtë vendim për t’i turpëruar të akuzuarit.

Pelicot, i cili është baba dhe gjysh, e filloi dëshminë e tij duke treguar për përvojat traumatike të fëmijërisë dhe tha se ishte abuzuar nga një infermier kur ishte nëntë vjeç.

Kur u pyet për martesën e tij me Gisèle, zoti Pelicot tha se kishte menduar të bënte vetëvrasje kur mësoi se ajo kishte një lidhje jashtëmartesore.

Gjatë dëshmisë së tij të martën në mëngjes, Pelicot përsëriti disa herë para gjykatës se kurrë nuk e kishte “urryer” gruan e tij dhe madje tha se ishte “i çmendur pas saj… E doja jashtë mase dhe ende e dua.”

“E doja mirë për 40 vjet dhe keq për 10,” shtoi ai, duke iu referuar dukshëm dekadës kur ai e drogonte dhe e keqtrajtonte atë.

Zoti Pelicot u pyet më pas nga Stéphane Babonneau, një nga avokatët e Gisèle, e pyeti pse nuk kishte arritur të gjente vullnetin për të ndaluar keqtrajtimin, edhe kur ajo filloi të shfaqte probleme mjekësore.

Në seancat e mëparshme të gjyqit, Gisèle kishte thënë se ishte e shqetësuar se po zhvillonte Alzheimer ose një tumor në tru për shkak të rënies së flokëve dhe humbjes së peshës, si dhe boshllëqeve të mëdha në kujtesë. Në fakt, këto ishin efekte anësore të barnave që burri i saj po i jepte.

“U përpoqa të ndaloja, por varësia ime ishte më e fortë, nevoja po rritej,” tha ai.

“Po përpiqesha ta qetësoja, e tradhtova besimin e saj. Duhej të kisha ndaluar më herët, në fakt nuk duhej të kisha filluar kurrë.”

Pelicot akuzohet gjithashtu për drogimin dhe keqtrajtimin e vajzës së tij, Caroline, pasi fotografi gjysmë të zhveshura të saj u gjetën në laptopin e tij. Ai më parë e kishte mohuar këtë dhe të martën po ashtu deklaroi se kurrë nuk kishte prekur nipërit e mbesat e tij. “Mund t’i shoh familjarët e mi në sy dhe t’u them që asgjë tjetër nuk ka ndodhur,” tha ai.

Pelicot tha gjithashtu se “u bëra pervers” kur, në vitin 2010, takoi një infermier mashkull në internet, i cili i sugjeroi ta drogonte gruan e tij me një qetësues, i shpjegoi si ta administronte dhe ndau fotografi të grave të droguara. “Aty ndodhi gjithçka,” tha Pelicot. “Gjithçka filloi atëherë.”

Në një pjesë të seancës së së martës, zoti Pelicot u pyet gjithashtu për mijëra videot që kishte filmuar të burrave që abuzonin me gruan e tij të pavetëdijshme. Këto u gjetën nga hetuesit dhe ishin të rëndësishme për të gjurmuar 50 burrat që tani akuzohen për përdhunim.

Pelicot pranoi se i kishte filmuar burrat pjesërisht për “kënaqësi,” por gjithashtu edhe si një “siguri.”

Gjatë gjithë mëngjesit, zoti Pelicot dukej i vendosur për të hedhur poshtë një nga linjat kryesore të mbrojtjes së disa të akuzuarve, e cila bazohej në pretendimin se ata nuk e “dinin” se po përdhunonin Gisèle — me fjalë të tjera, se mendonin se po kryenin marrëdhënie konsensuale me të.

Zoti Pelicot takoi të pandehurit në një chatroom të quajtur “Pa dijeninë e saj” në faqen tashmë të mbyllur Coco, e cila kishte materiale pornografike.

“Unë nuk e detyrova askënd, ata erdhën të më kërkonin mua,” tha ai të martën. “Ata më pyetën nëse mund të vinin, dhe unë thashë po. Nuk kam lidhur apo tërhequr kurrë askënd me forcë.”

Disa kanë thënë se ishin “manipuluar” nga zoti Pelicot për të besuar se po merrnin pjesë në një lojë erotike ku Gisèle thjesht shtirej se ishte në gjumë sepse ishte e turpshme, dhe disa mohuan se e dinin që po filmoheshin.

Por Pelicot tha se i vetmi person që ai kishte “manipuluar” ndonjëherë ishte gruaja e tij dhe gjithashtu shtoi se burrat duhej të kishin ditur se po filmoheshin: “Ishte një tripod dhe një ekran i lidhur me të, të gjithë mund ta shihnin sapo hynin në dhomë.”

Pelicot tha se dëshironte të dëshmonte që gruaja e tij “ishte një viktimë dhe jo bashkëpunëtore. Për të provuar që gjithçka ndodhi pa dijeninë e saj. E di që shumë [të pandehur] e kanë mohuar këtë.”

Béatrice Zavarro, avokatja e Pelicot, tha për televizionin francez se nuk e dinte se çfarë do të mendonin njerëzit për klientin e saj, por ai po “ndarë të vërtetën e tij.”

Ajo shtoi se Pelicot ishte “shumë i shtypur” dhe, ndonëse nuk e dinte çfarë do të mendonte gruaja e tij për kërkesën e tij për falje, “rrëfimi është duke u zhvilluar dhe ai do të vazhdojë.”

Ajo tha: “Ne do të arrijmë në fund të këtij gjyqi dhe do të dimë gjithçka për Dominique Pelicot.”

Pelicot, i cili ishte diagnostikuar me një infeksion të veshkave dhe gurë në veshka, kishte munguar në gjykatë për gati një javë për shkak të sëmundjes. Ai pritet të japë dëshminë e tij gjatë gjithë ditës, megjithëse do t’i lejohen pushime të shpeshta.

  • Artikulli fillimisht është publikuar në BBC ndërsa është përkthyer dhe përshtatur në gjuhën shqipe nga Ardit Ramadani.

Të tjera