Shistozomiaza gjenitale femërore (Female Genital Schistosomiasis – FGS) është një infeksion parazitar që prek organet gjenitale të vajzave dhe grave dhe shkaktohet nga krimbat e vegjël të njohur si schistosoma. Ky infeksion prek rreth 56 milion gra dhe vajza, kryesisht në Afrikën Sub-Sahariane, të cilat mbështeten në ujërat e hapura të lumenjve dhe pellgjeve të cilat shfrytëzohen për të gatuar, pastruar, dhe larë rrobat.
Ky infeksion mbetet një sëmundje kryesisht e panjohur dhe e neglizhuar, dhe nëse nuk trajtohet mund të çojë në dëmtim të organeve riprodhuese, infertilitet, dhe lidhet me një rrezik të shtuar për virusin HIV, raporton the Guardian.
Parazitët janë të vështirë për t’u parë dhe arrijnë gjatësi nga 1 cm deri në 2 cm. Ata gërmojnë nëpër lëkurë dhe lëvizin përmes qarkullimit të gjakut duke lëshuar vezë. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje të pelvikut, rrjedhje të përgjakshme dhe kruajtje, djegie të organeve gjenitale, dhe janë të ngjashme me ato të infeksioneve seksualisht të transmetueshme, dhe si rrjedhojë shumë shpesh jepet diagnozë e gabuar.
Nuk ka shifra të sakta për numrin e grave me FGS pasi nuk ka asnjë testim të standardizuar. Por, sipas një studimi të publikuar në mars të këtij viti, vetëm 15,000 vajza dhe gra në zonat endemike janë ekzaminuar.
Gjithsesi, tani ka një përpjekje të re për të rritur ndërgjegjësimin. Grupi i Integrimit FGS (FGS Integration Group – Fig), i krijuar në vitin 2022, po bën fushatë për qeveritë dhe donatorët që të përfshijnë trajtimin e FGS në programet e tyre të shëndetit seksual dhe riprodhues.
Në muajin korrik, anëtarët e grupit ishin në konferencën ndërkombëtare të HIV në Mynih për të nxitur objektivin e UNAids ku pritet që 90% e vajzave dhe grave të kontrollohen për FGS në zonat endemike deri në vitin 2025, pasiqë gratë me FGS kanë tre herë më shumë gjasa të kontraktohen me HIV.
“Ne jemi në rrezik të regresojmë në objektivat e parandalimit të HIV”, thotë Yael Velleman, bashkëkryetar i Fig.
Organizata Keniane LVCT Health thotë se nga 2,714 gra që iu nënshtruan ekzaminimit të kancerit të qafës së mitrës në rajonet perëndimore dhe bregdetare që nga prilli, 11% kishin FGS. Kurse, në një studim të rastësishëm të kryer në qershor në Junju, një fshat i vogël bregdetar në qarkun Kilifi, 11 nga 19 gra rezultuan pozitive.
“Kjo tregon se problemi është i madh, dhe shumë gra po vuajnë në heshtje sepse nuk janë të informuara për të”, thotë Kiti Mwangome, një studiuese e shëndetit riprodhues.
FGS mund të trajtohet me praziquantel, një ilaç që vret krimbat parazitarë dhe u jepet në mënyrë rutinore nxënësve të shkollave në zonat endemike. Sidoqoftë, ilaçi është më pak efektiv sa më gjatë që sëmundja nuk zbulohet.
Grupet e avokimit thonë se, për të trajtuar FGS në periudhë të gjatë, qeveritë duhet të fokusohen në parandalim sesa në trajtim, duke u ofruar komuniteteve akses në ujë të sigurt.
Ky artikull fillimisht është publikuar në QIKA.