Seksualiteti dhe gjinia shpesh mendohet se janë koncepte të lidhura ose të njëjta, por në të vërtetë ato janë të ndara dhe të ndryshme. Kuptimi i dallimit midis seksualitetit dhe gjinisë është i rëndësishëm, sepse, megjithëse të dyja janë pjesë thelbësore të identitetit të një individi, nëse nuk dini çfarë përfaqëson secila, mund të bëni supozime të gabuara.
Për shembull, disa njerëz mund të supozojnë se një person transgjinor është homoseksual. Por identiteti gjinor dhe orientimi seksual i një personi transgjinor nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën.
Kuptimi i seksualitetit dhe gjinisë
Për të kuptuar dallimin midis seksualitetit dhe gjinisë, është e dobishme të dihet definicioni i secilës.
Gjinia është një konstrukt social dhe koncepti i brendshëm i një personi për veten si burrë, grua dhe. Njerëzit e përcaktojnë identitetin e tyre gjinor në mënyra të ndryshme dhe thellësisht personale, që mund të përfshijnë burrë ose grua, por gjithashtu mund të zgjerohet në identitete tjera.
Seksualiteti i referohet asaj se ndaj kujt një person tërhiqet seksualisht dhe mund të përfshijë një larmi orientimesh. Ndërsa homoseksualiteti, heteroseksualiteti dhe biseksualiteti janë ndoshta orientimet më të njohura, ekzistojnë shumë të tjera, si aseksualiteti dhe panseksualiteti.
Megjithëse këto terma shpesh ngatërrohen, njohja e dalliimt midis seksualitetit dhe gjinisë është thelbësore. Seksualiteti dhe gjinia janë aspekte jetësore të identitetit të një personi dhe luajnë një rol në formësimin e përvojave të tyre gjatë gjithë jetës.
Çfarë është gjinia dhe identiteti gjinor?
Shoqata Amerikane Psikologjike e përkufizon identitetin gjinor si “ndjenja e thellë dhe e lindur e një personi për të qenë djalë, burrë, ose mashkull; vajzë, grua, ose grua; ose një gjini alternative, e cila mund ose jo të përputhet me seksin e caktuar gjatë lindjes.”
Identiteti gjinor është personal dhe një pjesë thelbësore e ndjenjës së një individi për veten.
Identiteti gjinor është i brendshëm dhe mund të mos jetë gjithmonë i dukshëm për botën e jashtme. Kjo ndodh sepse shprehja gjinore – ose mënyra se si një person e paraqet veten përmes pamjes së jashtme dhe sjelljes, si veshjet, stilet e flokëve, zëri dhe gjuha e trupit – mund ose nuk mund të përputhet me identitetin e tyre gjinor.
Identiteti gjinor dhe seksi
Termat “seks” dhe “gjini” shpesh përdoren si sinonime, dhe shpesh mendohet se seksi i caktuar gjatë lindjes përcakton gjininë e një personi. Në realitet, megjithatë, identiteti gjinor dhe seksi i referohen gjërave të ndryshme.
Ndërsa identiteti gjinor i referohet mënyrës se si një person e përcakton veten, seksi është biologjik dhe përcaktohet nga anatomia, hormonet dhe kromozomet e individit.
Ashtu si identiteti gjinor, seksi është një vazhdimësi që nuk kufizohet vetëm në mashkull ose femër, pasi njerëzit mund të lindin gjithashtu interseks, që do të thotë se trupat e tyre nuk janë biologjikisht vetëm mashkull apo femër.
Çfarë është seksualiteti?
Seksualiteti është një term tjetër për orientimin seksual. Shoqata Amerikane Psikologjike e përkufizon orientimin seksual si “një komponent i identitetit që përfshin tërheqjen seksuale ose emocionale të një personi ndaj një personi tjetër dhe sjelljen që mund të rezultojë nga kjo tërheqje.”
Fluiditeti seksual
Orientimi seksual mund të ndryshojë në çdo moment gjatë jetës së një personi, një fenomen i njohur si fluiditet seksual. Kjo ndodh veçanërisht ndërsa njerëzit plaken dhe njihen më mirë me veten dhe preferencat e tyre. Ky proces shpesh u jep atyre mundësinë për të mësuar më shumë për veten dhe për kë tërhiqen, duke çuar në evolucionin e seksualitetit të tyre. Në fakt, për disa njerëz, seksualiteti mbetet fluid gjatë gjithë jetës.
Efektet e Diskriminimit ndaj Seksualitetit dhe Gjinisë
Fatkeqësisht, personat transgjinorë ose ata me orientim seksual ndryshe nga heteroseksualiteti shpesh përballen me diskriminim dhe paragjykime. Gjatë dekadave të fundit, identiteti gjinor dhe orientimi seksual janë kthyer në tema të debatit politik.
Efektet Sociale dhe Politike
Një rast që përfshinte të drejtën e martesës për personat që nuk ishin heteroseksualë arriti deri në Gjykatën Supreme, dhe vendimi i gjyqtarëve çoi në barazi martesore. Shumë shtete kanë miratuar ose janë në proces diskutimi të ligjeve që lidhen me personat transgjinorë, si për shembull nëse duhet t’u ndalohet përdorimi i banjove që përputhen me identitetin e tyre gjinor.
Fakti që të drejtat e personave me diversitet gjinor dhe minoritet seksual janë ende subjekt debati kontribuon në një klimë ku diskriminimi është i zakonshëm ndaj kujtdo që nuk është heteroseksual ose cisgjinor. Hulumtimet tregojnë se individët me diversitet gjinor dhe të minoriteteve seksuale vuajnë nga abuzimi fizik dhe psikologjik, bullizmi dhe përndjekja në kontekste të ndryshme, duke përfshirë shkollat, vendet e punës dhe kujdesin shëndetësor.
Njerëzit shpesh bëhen të fiksuar pas shprehjes gjinore ose orientimit seksual të një individi nëse kjo nuk përputhet me normat shoqërore. Ata mund të shfaqin qartë mungesën e mbështetjes së tyre duke bërë veprime si përdorimi i përemrave të gabuar për të iu referuar individit.
Efektet në shëndetin mendor
Paragjykimet dhe diskriminimi i këtij lloji i ekspozojnë personat me diversitet gjinor dhe ata të minoriteteve seksuale ndaj një rreziku, përfshirë depresionin, ankthin, abuzimin me substanca dhe vetëvrasjen. Nga ana tjetër, udhëtimi i një individi për të përcaktuar ose njohur seksualitetin ose identitetin e tij gjinor është një proces personal. Shtypja e identitetit të vërtetë gjinor ose seksual mund të çojë gjithashtu në probleme të shëndetit mendor.
Diskriminimi mbetet një problem serioz për personat me identitete të ndryshme, por ka gjëra që mund të ndihmojnë. Studimet kanë treguar se i gjithë ky shqetësim mund të lehtësohet nëse këtyre personave ju ofrojmë:
- Mbështetje sociale dhe familjare
- Kontakte me të tjerë që i përkasin minoriteteve seksuale ose kanë diversitet gjinor
- Pranueshmëri
Si identiteti gjinor ashtu edhe orientimi seksual janë pjesë të rëndësishme të identitetit të përgjithshëm të një personi. Por është e rëndësishme të kuptohet se ato nuk janë e njëjta gjë, dhe njohja e dallimeve midis seksualitetit dhe gjinisë është thelbësore.
Në të dyja rastet, konstruktet sociale që lidhen me seksualitetin dhe gjininë vazhdojnë të shkaktojnë paragjykime që ndikojnë negativisht te personat me diversitet gjinor dhe ata të minoriteteve seksuale. Kjo mund të jetë një arsye pse shumë njerëz ende i ngatërrojnë këto koncepte.
Njerëzit duhet të kuptojnë se për individët, seksualiteti dhe gjinia nuk janë domosdoshmërisht të lidhura. Asnjëherë mos supozoni orientimin seksual të një personi bazuar te gjinia e tyre ose anasjelltas. Përkundrazi, individët duhet të ndihen të lirë të eksplorojnë dhe të përcaktojnë identitetin e tyre gjinor dhe orientimin seksual në mënyrën që u duket më e përshtatshme.
Artikulli fillimisht është publikuar në Verywellmind, më pas është përshtatur dhe përkthyer nga Ardit Ramadani.