Numri i deputeteve gra në përbërjen e re të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut do të jetë më i ulët në krahasim me përbërjen e kaluar. Gjithsej 41 gra fituan mandat në zgjedhjet e fundit për të qenë përfaqësuese në shtëpinë ligjvënëse, në përbërjen e kaluar kishte gjithsej 51 gra deputete.
Gratë vijojnë të jenë më pak të përfaqësuara në koalicionet me shumicë shqiptare, nga gjithsej 32 ulëse që këto koalicione arritën t’i fitojnë, vetëm 8 ju takojnë grave, edhe atë 5 nga koalicioni ‘Fronti Evropian’ dhe 3 nga koalicioni ‘VLEN’.
Partia më e madhe maqedonase VMRO DPMNE ka numrin më të madh të deputeteve gra, gjithsej 23 ndërsa LSDM-ja 7, partia ‘ZNAM’ 2 dhe E Majta 1.
Mollëkuqja përgatiti inforgrafik në lidhje me këtë.
Por, ka shpresë se numri i grave deputete mund të rritet. Kjo për shkak se nga partitë të cilat do e përbëjnë qeverinë, disa nga deputetët e përzgjedhur zakonisht marrin poste ministrore. Ndërsa mandat deputetësh kanë fituar edhe disa kryetarë komunash, të cilët pritet që mos ta marrin mandatin. Kjo hap rrugën që gratë nga listat t’i zëvendësojnë.
Përbërja e re e Parlamentit pritet të konstituohet më së voni 20 ditë pas zgjedhjeve të cilat u mbajtën me 8 maj 2024.
Kujtojmë që së bashku me zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut u mbajtën edhe zgjedhjet presidenciale, ku për herë të parë në histori për presidente u zgjodh një grua.
Në lidhje me përfaqësimin e ulët të grave në vendimmarrje, RMV-ja vazhdimisht është cak i kritikave në raportet ndërkombëtare.
- Lexo: Historike: Për herë të parë një grua zgjidhet presidente në Maqedoninë e Veriut
- Lexo: Zgjedhjet 2024: Barazia gjinore s’është prioritet për koalicionet me shumicë shqiptare
- Lexo: Asnjë fjalë për barazinë gjinore në programet e kandidatëve shqiptar për president
- Lexo: “Evropa” në sllogane, jo edhe në veprime, asnjë grua shqiptare s’do kryesojë me listat zgjedhore