Realiteti në RMV nuk përkon me kërkesat ligjore për strehimoret për viktimat e dhunës në familje

Asnjë strehimore nuk ka një ekip profesionistësh, ofrues shërbimesh si psikolog/psikoterapist dhe punonjës social që do t’i ofronte ndihmë viktimës. Ekipi i qendrës për punë sociale viziton viktimat në strehimore, siguron ushqim dhe higjienë, por përtej kësaj nuk ofrohet mbështetje e specializuar.

Viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje pasi që kanë raportuar dhunën kanë të drejtë të akomodohen në strehimoret e RMV-së për afat tre mujor. Qëllimi i strehimoreve është garantimi i sigurisë fizike të viktimës dhe fëmijëve të saj (nëse ka) dhe t’i mbrojnë ata nga përsëritja e dhunës. Të njëjtat gjithashtu duhet të ofrojnë ndërhyrje në krizë dhe mbështetje psikologjike për viktimën, ndihmë në realizimin e të drejtave të mbrojtjes sociale, ndihmë juridike dhe mbështetje në forcimin ekonomik nëse viktima është e papunë. Por, sipas Elena Dimushevska, drejtore ekzekutive në Rrjetin Nacional Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, realiteti nuk përkon me kërkesat ligjore.

“Ajo që ofrohet aktualisht në strehimore është krejtësisht e kundërta, pra përveç sigurimit fizik, nuk ofrohen asistenca të tjera. Ato jo vetëm që nuk marrin ndihmë dhe mbështetje në strehimore për të kapërcyer traumat e dhunës së përjetuar, por edhe pas largimit lihen vetë që të gjinden. Për deri sa viktimat janë në strehimore, ato nuk guxojnë të largohen nga strehimorja, të shkojnë në punë ose të aplikojnë për punë, pastaj të shkojnë në intervistë, madje probabiliteti për të humbur punën që kanë, është shumë i lartë.”

Të dhënat e mëposhtme tregojnë numrin e viktimave të akomoduara në shtrehimoret e dedikuara për viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje në nivel republikan, respektivisht nga 30 qendra për punë sociale sa janë në tërë territorin e RMV-së.

Kur bëhet fjalë për dhunën në familje por edhe për dhunën ndaj grave, një nga çështjet më të rëndësishme është siguria e viktimës në mënyrë që të mos vjen deri te vazhdimi i dhunës apo eskalimi i saj në vrasje. Por nga informacionet e marra nga gratë të cilat kanë qenë të akomoduara në strehimore, Elena tregon se sigura e ofruar nuk është e mjaftueshme.

“Nga informacionet që marrim nga gratë që i kanë mbijetuar dhunës dhe janë vendosur në strehimore, dhe pasi kanë dalë nga strehimorja dhe janë drejtuar për ndihmë në qendrat tona të këshillimit, nuk ka siguri 24/7. Edhe pse strehimoret në disa qytete ndodhen afër komisariateve të policisë, kjo nuk është gjithmonë e mjaftueshme ose një garanci e sigurisë. Sigurisht, vendndodhja e tyre mbahet sekret për mbrojtjen e viktimave, por ekziston frika se në qytetet më të vogla informacioni përhapet shpejt dhe vendndodhja mund të zbulohet.”

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (tani Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë) për raportin GREVIO, në vend ka 13 strehimore, 8 prej të cilave menaxhohen nga qendrat komunale për punë sociale. në qytetin ku ndodhen, dhe 5 nga organizatat civile, financimi i të cilave mbulohet pjesërisht nga Ministria. Sipas Dimushevskës ky numër i strehimoreve nuk i përmbush kërkesat e parapara në Konventën e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

“Numri i saktë i vendeve familjare (sipas Këshillit të Evropës një vend familjar përfshin një vend për një viktimë me një numër mesatar fëmijësh) nuk dihet. Sipas standardeve minimale të Konventës së Stambollit, duhet të ketë një vend familjar për 10,000 banorë, domethënë në nivel kombëtar duhet të ketë gati 200 vende familjare. Me përjashtim të dy strehimoreve që janë objekte të veçanta, strehimoret e tjera janë apartamente me kapacitet shumë të vogël, ndaj mund të themi me siguri se shteti nuk është as afër standardit minimal.”

Duke qenë se detyrë kryesore e Avokatit të Popullit është mbrojtja e të drejtave të qytetarëve, iu drejtuam për të parë nëse ata si institucion kanë qenë për të parë situatën reale në strehimoret e RMV-së dhe jetën që viktimat bëjnë për deri sa janë të mbyllura aty, siç është rasti me burgjet e vendit. Por nga Avokati i Popullit na informuan që asnjë herë deri më tani nuk kanë vizituar strehimoret pasi që deri te ta nuk ka arritur asnjë parashtresë apo ankesë në këtë drejtim.

“Te Avokati i Popullit nuk është paraqitur asnjë ankesë nga një person/viktimë e dhunës në familje të vendosur në qendrat e strehimit dhe as nga ndonjë person tjetër nuk ka pasur ankesë lidhur me punën e tyre. Por, natyrisht, mbetet mundësia që nëse paraqitet nevoja, qoftë pas ankesës së paraqitur apo me iniciativë të tij, Avokati i Popullit, në përputhje me mundësitë objektive dhe kapacitetet në dispozicion, të vlerësojë situatën dhe të përgatisë një analizë të punës të qendrave të strehimit.”

Për të mundësuar siguri dhe për të pamundësuar kontakt të viktimës me dhunuesin dhe rrezikim të saj, vendndodhja e strehimoreve mbetet e fshehtë. Megjithatë, nga “Mollëkuqja” sugjerojnë që Avokati i Popullit apo edhe institucionet tjera duhet në mënyrë të rregullt t’i vizitojnë strehimoret për të parë nëse nga mungesa e kushteve, personelit apo profesionalizmit cenohen të drejtat e viktimave.

“Patjetër që vendndodhja e strehimore duhet të mbetet e fshehtë, mirëpo institucionet kanë për detyrë të sigurojnë kushtet e nevojshme në strehimore për këto viktima të dhunës. Edhe institucionet kanë mekanizma të raportimit dhe duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë. Monitorimi është i patjetërsueshëm në mënyrë që të sigurohemi se kushtet janë siguruar”, thotë Rita Behadini nga “Mollëkuqja”.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera