Punëtoret e seksit në Belgjikë fitojnë të drejta historike të punës

Një ligj i ri në Belgjikë, i cili ka hyrë në fuqi javën e kaluar, ka sjellë revolucion për të drejtat e punëtoreve të seksit. Ky ligj u jep punonjëseve të seksit kontrata formale pune dhe mbrojtje ligjore ngjashëm me punëtoret/ët e profesioneve tjera.

Ligji i ri gjithashtu u jep punonjësve të seksit të drejta themelore, duke përfshirë aftësinë për të refuzuar klientët, për të zgjedhur praktikat e tyre dhe për të ndaluar një akt në çdo kohë.

Ligjvënësit belgë votuan ligjin në maj, i cili ka hyrë në fuqi me 1 dhjetor të këtij viti. Kjo vjen pas vendimit të Belgjikës në vitin 2022 për të dekriminalizuar punën e seksit.

Ligji synon të luftojë abuzimin dhe shfrytëzimin brenda industrisë, duke siguruar që punonjëset e seksit tani të kenë qasje në sigurim shëndetësor, lejen e paguar, përfitimet e lehonisë, mbështetjen e papunësisë dhe pensione.

Legjislacioni përcakton gjithashtu rregulla për orarin e punës, pagën dhe masat e sigurisë – duke adresuar një hendek të gjatë të mbrojtjes ligjore për krejt punëtoret në industri.

Punëdhënësit tani duhet të marrin autorizimin, t’u përmbahen protokolleve strikte të sigurisë dhe të plotësojnë kërkesat e prapavisë kriminale, duke përfshirë asnjë dënim të mëparshëm për sulm seksual ose trafikim njerëzor.

Ata duhet të sigurojnë rroba të pastra, prezervativë dhe produkte higjienike dhe të instalojnë butona emergjence në hapësirat e punës.

Punëtoret e seksit ende mund të punojnë në mënyrë të pavarur, por punësimi i parregulluar nga palët e treta ose shkelja e kuadrit ligjor do të ndiqet penalisht.

Megjithatë, disa kritikë argumentojnë se ligji nuk mund të trajtojë plotësisht stigmën dhe rreziqet që lidhen me punën e seksit, veçanërisht për gratë që janë pa dokumentacione në Belgjikë (emigrantet).

Megjithëse disa vende si Gjermania apo Holanda e kanë legalizuar punën seksuale, asnjëra nuk ka zbatuar mbrojtje të punës aq gjithëpërfshirëse sa ajo e Belgjikës.

Artikulli fillimisht është publikuar në QIKA

Të tjera