Të dhënat për kancerin në qafën e mitrës në RMV janë shqetësuese, diagnostifikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë

convert now the prezi iframe to center, here the whole blog post:

Në Maqedoninë e Veriut vetëm gjatë vitit 2021, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, janë diagnostifikuar me kancer në qafën e mitrës gjithsej 179 gra, nga të cilat 56 kanë humbur jetën si pasojë e kancerit. Ky lloj i kancerit shkaktohet nga HPV (Human Papilloma Virus), i cili virus transmetohet seksualisht. Si një metodë parandalimi, në Maqedoninë e Veriut vaksina për virusin HPV është në dispozicion për vajzat dhe gratë e moshës 9 deri 26 vjeç, e njëjta është pjesë e kalendarit të imunizimit dhe jepet në moshën 12-vjeçare.  Të dhënat e vitit 2019 tregojnë se në Maqedoni 57% e vajzave të moshës 12-15 vjeçare kanë pranuar këtë vaksinë.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, numri më i lartë i të diagnostifikuarve me kancer në qafën e mitrës vijnë nga qyteti i Shkupit, Kumanovës dhe Tetovës. Kjo bazuar në të dhënat e katër viteve të fundit.

 

Sipas gjinekologes Arbesa Qinami infektimi me HPV është forma më e shpeshtë e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Ajo thekson se shumica prej nesh në një moment të jetës infektohemi me HPV dhe në shumicën e rasteve trupi e eleminon vetë virusin. Nëse virusi nuk eleminohet nga trupi, atëherë ai shkakton ndryshime qelizore në qafën e mitrës, që me kalimin e kohës mund të shndërrohen në kancer.

“Parandalimi i kancerit të qafës së mitrës lidhet ngushtë me eleminimin e infektimit me HPV. Kjo arrihet duke pasur marrëdhënie seksuale të mbrojtura, me prezervativ. Nëse të dy partnerët nuk kanë pasur marrëdhënie të mëparshme, atëherë ata mund të kryejnë marrëdhënie pa prezervativ dhe të mos infektohen me HPV, sepse nuk mund të jenë bartës. Prandaj është kaq e rëndësishme të njohësh statusin e infektimit apo jo me HPV të partnerit/-es”

Arbesa Qinami

Kanceri në qafën e mitrës është asimptomatik në shumicën e rasteve. Në momentin kur shfaqen simptoma, do të thotë që sëmundja ka përparuar dhe është në stad të zhvilluar. Sipas Qinamit, simptomat kanë të bëjnë me: dhimbje në zonën e legenit, gjakderdhje pas marrëdhënieve seksuale apo jociklike, dhe në rastet më të avancuara, dhimbje mesi apo probleme me urinimin apo defekimin.

Zbulimi i hershëm i kancerit në qafën e mitrës  

Zbulimi i hershëm i kancerit të qafës së mitrës mundëson dhe rrit shanset për shërim të plotë. Sa më herët të zbulohet, aq më të mira janë rezultatet e trajtimit. Disa nga mënyrat për zbulim të hershëm janë: kontrollet e rregullta gjinekologjike, PAP testet dhe testi i HPV. Sipas Institutit për Shëndet Publik, në Maqedoninë e Veriut, ekziston skriningu i organizuar për zbulimin e hershëm të kancerit të qafës së mitrës, i cili përfshin gratë e moshës 36 deri në 45 vjeç, të cilat nuk kanë bërë PAP test në tre vitet e fundit. Kjo mundëson punimin e një PAP testi, i cili do të zbulonte praninë e mundshme të ndryshimeve prekanceroze apo kanceroze.

Të dhënat për kancerin në qafën e mitrës në RMV janë shqetësuese, diagnostifikimi i hershëm mund të shpëtojë jetë

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vitin 2021 në kuadër të skriningut janë kryer 26217 testime. Anomali citologjike janë zbuluar tek 2070 prej tyre.

“Egzaminimet e rregullta nuk ulin rrezikun e kancerit të qafë së mitrës. Ato na mundësojnë zbulimin e hershëm të tij, duke rritur shanset për një shërim të plotë. Sa më herët të zbulohet, aq më të mira janë rezultatet e trajtimit. Kontrollet gjinekologjike duhet të bëhen çdo vit; PAP testet të kryhen çdo 1-3 vjet. Nëse njëkohësisht me PAP testin bëhet edhe tipizimi i HPV (co-testing) atëherë kontrollet mund të kryhen çdo 5 vjet, nëse rezultati është negative. Duhet të hiqet dorë nga mendimi se tek gjinekologu shkohet vetëm kur je shtatzënë apo për të lindur. Në rastet më të avancuara të kancerit që kam hasur, pyetja se kur ka qenë vizita e fundit gjinekologjike, ka marrë përgigjen “kur kam lindur fëmijën e fundit, para 20 apo 30 vitesh””, thekson Qinami.

Një formë tjetër e parandalimit të kancerit të qafës së mitrës është përmes vaksinimit. Sipas Qinamit, vaksinimi i popullatës (vajza dhe djem) në moshën e adoleshencës, para fillimit të aktivitetit seksual, sjell rezultatet më të mira afatgjate në uljen e prevalencës së kancerit të qafës së mitrës. Sipas saj, efekte te kënaqshme arrihen edhe në vaksinimin pas fillimit të aktivitetit seksual, por është më pak efektiv se vaksinimi para fillimit të tij. Në RMV, vaksina jepet në 3 doza, doza e dytë 2 muaj pas të parës dhe e treta 6 muaj pas dozës së parë.

Çfarë është PAP Testi dhe Testi HPV?

PAP testi është screening për kancerin e qafës së mitrës. Sipas gjinekologes Qinami, PAP testi duhet bërë nga një përqindje sa më e madhe e popullatës, për të rritur shkallën e zbulimit të kancerit të qafës së mitrës, që çon në trajtimin e stadeve të hershme e që është më efektive.

“PAP testet rekomandohen të bëhen çdo 1 deri në 3 vjet, deri në moshën 60-65 vjeç. PAP testi i parë duhet kryer një vit pas marrënies së parë seksuale, ose 10 vjet pas menstruacioneve të para. Nëse kemi anomali qelizore të shprehura në PAP test, hapi i mëtejshëm është kolposkopia dhe tipizimi i HPV”

Arbesa Qinami

Nga ana tjetër, testi i HPV ose Tipizimi i HPV është një testi i cili konsisiton në marrjen e materialit nga qafa e mitrës, njësoj si gjatë PAP testit, dhe analizimin nga ana gjenetike nëse në materialin e marrë ka apo jo gjurmë të HPV dhe nëse po cilat tipe/shtama specifikisht janë prezente. Sipas Qinamit, jo të gjitha llojet e HPV janë njësoj të dëmshëm. Ato ndahen në dy grupe: low risk dhe high risk. Në grupin “low risk”, pra me rrezikshmëri të ulët për të shkaktuar kancerin e qafës së mitrës futen llojet HPV 6 dhe 11, të cilët shkaktojnë kondylomat. Në grupin “high risk”, pra me rrezikshmëri të lartë futen HPV 16, 18, 31,33, 45 dhe të tjera.

Gjithsesi, jo çdo infektim shkakton kancer. Nëse rezultojmë pozitiv në testimin e HPV, atëherë duhen ndërmarrë hapa të tjerë dhe të jemi nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekut.

 

Të tjera