Qendra për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja” dhe portali “Mollekuqja.mk” dënojnë shpërndarjen e dezinformatave, përmbajtjeve shqetësuese dhe të pa-verifikuara në lidhje me zhdukjen e 14 vjeçares Vanja Gjorçevska. Bëjmë thirrje që mediet të respektojnë dhimbjen e familjes dhe të përmbahen nga raportimi sensacional për këtë rast, kështu duke respektuar Kodin e Etikës së Gazetarëve. Sot është dita e katërt që kërkohet Vanja, ndërsa dezinformata ka me dhjetëra.
Pjesa më e madhe e këtyre lajmeve janë shoqëruar me komente jonjerëzore të cilat kanë ngritur alarmin për një vetëdije krejtësisht të ulët të masës në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët të përmbahen nga shpifjet, ofendimet dhe komentet e panevojshme të cilat përveç se nuk ju ndihmojnë institucioneve kompetente në gjetjen e vajzës së mitur, por për përkundrazi, e vështirësojnë edhe më shumë këtë proces.
Kjo filloi nga kur portali “Kurir” publikoi një dezinformatë në të cilën thuhej se “vajza e mitur është gjetur gjallë dhe shëndoshë në një shtet fqinj” dhe vazhdoi me komente të ndryshme shqetësuese, për shembull, një profil në ‘Fejsbuk’ me emrin Xhamija në Podujeve që kishte keqpërdorur fotografinë e një hoxhe nga Shqipëria, shkruante komente të tilla si “vajzën e kam mbytur unë, mos e kërkoni më”, “vajzën e kam mbytur me pistoletë në kokë” dhe jo vetëm.
Përveç kësaj, në rrjetet-sociale kanë vërshuar teori të ndryshme konspirative se ku mund të jetë vajza dhe ngjashëm. “Mollëkuqja” më herët kishte alarmuar për tendenca seksiste dhe jonjerëzore të një pjesë të medieve dhe komentuesve secilën herë që raportohet për ndonjë vajzë të zhdukur. Në fund, theksojmë se Ministria për Punë të Brendshme ka demantuar çdo lajm të rremë të përhapur deri tani ndërsa kërkimi për 14 vjeçaren Vanja Gjorçevska vijon.