Pasojat e mungesës së informacioneve janë më të mëdha se “marrja” e edukimit për disa tema “tabu”

Në Maqedoninë e Veriut numri i personave me sëmundje seksualisht të transmetueshme është i lartë, alarmant është edhe numri i rasteve të përdhunimit si dhe abortit të vajzave nën moshën 20 vjeçe. Sipas ekspertëve, e vetmja mënyrë për të parandaluar këtë fenomen është të pasurit informacion, gjegjësisht edukimi. Përpjekje për inkuadrimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut ka edhe ka pasur dekada më herët, sipas sociologut Petar Atanasov mospranimi i kësaj lënde si diçka normale vjen për shkak të shoqërisë konservatore dhe religjioze, shkruan Mollëkuqja.mk.

Një “sërë” sëmundjesh seksualisht të transmetueshme janë prezente në vend

Edhe pse për masën e njohur, si sëmundje seksualisht e transmetueshme është kryesisht vetëm HIV/AIDS, në Maqedoninë e Veriut qarkullojnë disa lloje të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme ndërkaq numri i rasteve të tilla nuk është i vogël.

Vetëm katër vitet e fundit, të diagnostikuar me HIV/AIDS në RMV janë gjithsej 178 persona ndërkaq 25 tjerë kanë ndërruar jetë si pasojë e kësaj sëmundje. Përveç kësaj, sëmundjet më të shpeshta që trasmetohen nëpërmjet marrëdhënieve seksuale në vendin tonë janë: HPV, klamidia, gonokoku dhe mikoplazmat seksualisht të transmetueshme dhe më e rralla është sifilizi.

Përdhunimet ndër vite

Edhe rastet e përdhunimit në vendin tonë nuk janë të vogla, theksojmë se përdhunimi është marrëdhënie seksuale ose seks oral i detyruar me penetrim. Çdo vit ka denoncime për kryerjen e aktit të lartëpërmendur ndërkaq viktimat kryesisht janë vajzat dhe gratë, shpesh herë edhe të mitura.

Në vitin 2017 kanë ndodhur gjithsej 55 raste të përdhunimit në vend, në vitin 2018 ka pasur ulje të rasteve në 31 ndërkaq numër i ngjashëm, gjegjësisht 35 raste të përdhunimit janë denoncuar në vitin 2019 kurse 38 në vitin 2020.

Theksojmë se numrat e lartëpërmendura janë vetëm rastet të cilat janë denoncuar në institucionet kompetente dhe kryerësit e veprës penale, përdhunim, janë dënuar me vendim të plotfuqishëm gjyqësor.

Shtatëzanitë e padëshiruara të vajzave nën moshën 20 vjeçe në Maqedoninë e Veriut

Edhe pse ka disa mënyra të ndryshme të parandalimit të shtatzanisë të padëshiruar në mënyrë që çiftit t’i mundësohet të vendosë për numrin e fëmijëve që duan të kenë, pa ndikuar në aktivitetin e tyre seksual, si pasojë e mos-pasjes së informacioneve adekuate për këtë, në Maqedoninë e Veriut çdo vit ndodhin më shumë se 150 abortime të vajzave nën moshën 20 vjeçe, pjesa më e madhe e tyre të mitura.

Në vitin 2016 gjithsej 161 vajza të moshës nën 20 vjeçe kanë abortuar, në vitin 2017 numri i aborteve të kësaj grupmoshe është 142 ndërkaq një vit më vonë kanë abortuar 144 vajza kurse në vitin 2019 gjithsej 127 vajza të reja kanë ndërprerë shtatzaninë e padëshiruar, gjegjësisht kanë abortuar.

Mollëkuqja.mk përgaditi një infogram për këtë:

 

Pasojat janë evidente, nevoja është e madhe – pse ka ngurim në përfshirjen e kësaj lënde në sistemin arsimor?

Sipas sociologut nga Instituti për Hulumtime të Sociologjisë dhe çështjeve Juridike, Petar Atanasov, përfshirja e temave apo elementeve për edukim seksual në sistemin arsimor është e nevojshme ndërkaq refuzimi sipas tij, ndodh për shkak të shoqërisë konservatore.

Picture1-1.jpg

“Ekzistojnë disa arsye për mospranimin apo refuzimin kundrejt vendosjes së lëndës apo temave për edukim seksual. Para së gjithash, bëhet fjalë për një shoqëri e cila është mjaftë konservatore dhe religjioze, sidomos në pjesët rurale. Unë kryesisht e mbështes vendosjen e elementeve për edukim seksual, megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm se cilës moshë dhe çfarë i vendoset. Mund të fillohet nga klasa e shtatë apo e tetë me temat si higjiena dhe shëndeti seksual. Pas kësaj, në shkollat e mesme këto tema duhet të zgjerohen dhe të rinjtë të njoftohen me këto tema me rëndësi jetike për ata. Nuk ka nevojë që të jetë lëndë obligative, mund të jetë fakultative” tha për “Mollëkuqja” sociologu Petar Atanasov.

Ai shtoi se institucionet duhet të përveshin krahët në drejtim që të bindin popullatën në lidhje me përftimet që nxënësit potencialisht do t’i kenë nga kjo lëndë. Sipas tij, shtetet e zhvilluara këtë praktikë e përdorin tash e disa dekada.

“Kjo është diçka që shtetet skandinave e kanë bë para 5-6 dekadave. Gjithashtu, shtetet liberale evropiane vendosin edhe tema tjera në lidhje me agjendën gjinore, megjithatë, për disa punë nuk duhet të shpejtohet shumë. Në këtë moment për ne prioritet janë edhe lëndët kryesore të cilat mundësojnë nxënësve edukim gjithëpërfshirës, edhe për karrierë dhe jetë. Një nga frikërat e prindërve janë pasojat eventuale të këtij programi te fëmijët e tyre. Kjo është punë e institucioneve që të na bindin se e dinë çfarë bëjnë dhe nga kjo përfitime do kenë fëmijët si dhe shëndeti i tyre seksual” shtoi Atanasov, sociolog.

Edukatorja seksuale Elena Saveska shpjegon se çfarë (nuk) mësohet në këtë lëndë

Sipas edukatores dhe aktivistes qytetare Elena Saveska, në këtë lëndë mësohet gjithçka që është e nevojshme në mënyrë që të rinjtë të jenë të vetëdishëm për atë se si të parandalojnë sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzanitë e padëshiruara, lidhjet abuzive dhe ngjashëm. Ajo shtoi se është shumë e rëndësishme që të rinjtë të jenë të informuar për çka japin pëlqim, para se ta bëjnë këtë.

Picture2-1.jpg

“Me edukimin gjithëpërfshirës seksual nënkuptohet mësimi për kognitivin, aspektin emocional, social dhe fizik të seksualitetit. Edukimi gjithëpërfshirës seksual përfshin lëndët si gjinia, shëndeti seksual dhe reproduktiv dhe HIV, seksualiteti, dhuna dhe aspektet qytetare të diskriminimit, trupi dhe marrëdhëniet me trupin. Edukimi gjithëpërfshirës seksual i përgatit dhe i aftëson nxënësit me informacione në lidhje me shëndetin e tyre seksual dhe reproduktiv dhe ju lejon që ta kuptojnë dhe ta shijojnë seksualitetin e tyre. U jep informacione jo vetëm për kontracepcionin dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme, por edhe për të drejtat e tyre seksuale dhe reproduktive, çfarë ndodhë në qoftë se ata të drejta ju shkelen, ku mund të drejtohen, pas kësaj për dhunën, njohja e dhunës si dhe ngacmimeve seksuale. Gjithashtu, bisedohet për lidhjet dhe marrëdhëniet, bisedojmë për atë se çka do të thotë lidhje jokualitative, i përgatisim nxënësit me informacione për atë se si të marrin vendime për diçka në lidhje me jetën e tyre, që do të thotë vendime të informuara dhe të japin pëlqim për diçka që paraprakisht janë informuar. Me këtë sigurohemi që të rinjtë realisht janë të informuar për atë për të cilën pajtohen apo japin pëlqim. I mësojmë si të kujdesen për shëndetin e tyre dhe si të marrin përgjegjësi për shëndetin e tyre” tha Elena Saveska për “Mollëkuqja”.

Ajo shtoi se në këtë lëndë përveç që nuk mësohet se si të kryhen marëdhëniet seksuale, përkundrazi, tha ajo, “edukimi gjithëpërfshirës seksual ndihmon në shtyerjen e vendimit për fillim të marëdhënieve seksuale, pikërisht për shkak të informacioneve më të mëdhaja që i marrin të rinjtë në lidhje me marëdhëniet seksuale. Edukimi gjithëpërfshirës seksual gjithashtu i liron të rinjtë nga presioni që e kanë nga shoqëria për të pasur marrëdhënie seksuale”.

Përpjekje për përfshirjen e kësaj lënde në sistemin arsimor në Maqedoninë e Veriut ka tash disa dekada

Në vitin 2009 një rrjet i organizatave joqeveritare në vend përgatitën deklaratën “Të drejta seksuale për të gjithë” ku në mes të tjerash u kërkua nga institucionet shtetërore që të përfshijnë këtë lëndë edhe në edukimin formal.

Kristina Najdovska nga Agjencia Evropiane për Zhvillim në vitin 2006 ka edukuar bashkëmoshatarët e saj në RMV në lidhje me shëndetin seksual dhe reproduktiv në shkollat e mesme. Ajo thotë se edhe pse këto tema atëherë ishin “tabu”, interesi i nxënësve për të mësuar diçka të re, që nuk e bisedojnë me familjarët e tyre, ka qenë i lartë.

Picture3-1.jpg

“Nga viti 2006 kur ne bënim edukim të bashkëmoshatarëve për shëndetin seksual dhe reproduktiv në shkollat e mesme, të rinjtë athëherë kishin interes për temën, për shkak se ende ishte tabu që kjo të flitej me familjarët e tyre. Mundësitë që të ketë edukim seksual në shkolla si lëndë e veçantë atëherë ishin të largëta, për shkak se për fat të keq, ky edukim atëherë kuptohej me konotacion tjetër, dhe jo për atë që realisht është, gjegjësisht parandalimi dhe mbrojtja e shëndetit seksual dhe reproduktiv para së gjithash, por edhe shëndetin e partnerit tënd. Edhe sot pas 15 vitesh, është për të ardhur keq që të rinjtë për këtë temë informohen në internet, unë jam ende që kjo lëndë të jetë në kurrikulat e shkollave” tha Kristina Najdovska, drejtore në Agjencinë Evropiane për Zhvillim.

Ndryshe, pilot-programi për edukimin seksual të fëmijëve aktualisht po zbazohet në tre shkolla të Shkupit dhe një në Tetovë në gjuhën maqedonase dhe shqipe. Dy prej shkollave janë në zonat urbane dhe dy tjerat në ato rurale.

 

Të tjera