Pa privatësi, pa ujë: Gratë në Gaza përdorin ilaçe për shtyrjen e ciklit menstrual

Ilaçet e përdorura për shtyrjen e ciklit menstrual mund të shkaktojnë efekte anësore negative, por pa qasje në ujë dhe produkte higjienike, gratë në Gaza thonë se nuk kanë alternativë tjetër përveç përdorimit të tyre.

  • Burimi: Al Jazeera.
  • Përktheu dhe përshtati: Ardit Ramdani.

Shumë gra palestineze kanë filluar të marrin ilaçe për shtyrjen e ciklit menstrual për shkak të gjendjes së tmerrshme dhe jo-higjienike në të cilën gjenden për shkak të sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza.

Duke u përballur me zhvendosjen, kushtet e jetesës (mbipopullim) dhe mungesën e qasjes në ujë dhe produkte higjienike menstruale si tampona dhe tjera, gratë po i marrin ilaçet “norethisterone”, të cilat në kushte normale u jepen grave për shkak të gjakderdhjes së pakontrolluar, endometriozës dhe menstruacioneve me dhimbje – për të evituar dhimbjet dhe efektet tjera të mundshme të ciklit menstrual.

Sipas Walid Abu Hatab, i cili është këshilltar mjekësor në obstetrikë dhe gjinekologji në spitalin “Nasser” në qytetin jugor të Khan Younis, këto ilaçe mbajnë nivelet e hormoneve progesterone të larta për të ndalur mitrën që të heqë shtresën e saj, në këtë formë vonojnë menstruacionet.

Sipas mjekëve, këto ilaçe mund të kenë efekte anësore si gjakderdhje të parregullt vaginale, të vjella, ndryshime në ciklin menstrual, dhimbje koke dhe ndryshime në humor, por disa gra, si Salma Khaled, thonë se nuk kanë alternativë tjetër përveçse të marrin mbi supe këtë rrezik në mes të bombardimeve të vazhdueshme dhe bllokadës të Gazës nga sulmet izraelite.

Ditët më të vështira

Salma ka ikur nga shtëpia e saj në lagjen Tel al-Hawa të qytetit të Gazës para dy javësh dhe po qëndron në shtëpinë e një familjares në kampin e refugjatëve Deir el-Balah në qendrën e Gazës. 41-vjeçarja thotë se është në një gjendje të vazhdueshme të frikës, pakënaqësisë dhe depresionit, gjë që ka ndikuar në ciklin menstrual.

Po përjetoj ditët më të vështira të jetës sime gjatë kësaj lufte. Kam pasur menstruacionet dy herë këtë muaj deri tani – e cila është shumë e parregullt për mua – dhe kam vuajtur nga gjakderdhje e rëndë

Salma

Salma thotë se nuk ka mjaftueshëm produkte të higjienës menstruale të disponueshme në disa dyqane dhe farmaci që kanë mbetur të hapura. Ndërkohë, ndarja shtëpisë me dhjetëra të afërm ndërkohë që ka mungesë të ujit, ka bërë higjienën e zakonshme të duket si diçka luksoze – nëse jo si diçka e pamundur. Përdorimi i banjove duhet të bëhet me radhë ndërsa bërja e dushit kufizohet në një herë në disa ditë.

Farmacitë dhe dyqanet po ballafaqohen me kufizim të produkteve për shkak të bllokadës totale të vendosur nga Izraeli pas një sulmi të kryer nga grupi i armatosur palestinez Hamas më 7 tetor. Po ashtu, bombardimi i rrugëve kryesore në Gaza ka bërë të pamundur transportimin e produkteve nga depoja mjekësore në farmaci, sipas Abu Hatab.

Pa mjetet e nevojshme për të menaxhuar menstruacionet siç e ka bërë zakonisht, Salma vendosi të përdorë tableta për ta shtyrjen e ciklit menstrual. Përderisa produktet për higjienë menstruale janë të shumë të kërkuara dhe të vështira për t’u gjetur, tabletat për shtyrjen e menstruacioneve janë zakonisht më të disponueshme në disa farmaci pasi nuk përdoren zakonisht.

“I kam kërkuar vajzës sime të shkojë në farmaci dhe të blejë tableta që vonojnë menstruacionet,” thotë Salma. “Ndoshta kjo luftë do të mbarojë shpejt dhe nuk do të kem nevojë t’i përdor më shumë se një herë,” shtoi ajo, e shqetësuar për efektet e mundshme anësore të ilaçeve në trupin e saj.”

Shumë stres

Mbi 1.4 milionë njerëz janë zhvendosur nga Gaza që nga 7 tetori, duke jetuar në kushte të ngushta dhe jo higjienike, në shkollat e drejtuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe në hapësira të mbipopulluara, pa pasur asnjë hapësirë për privatësi.

Efektet e sulmit izraelit – tani në ditën e 25-të – kanë qenë shkatërruese. Mbi 8,500 palestinez janë vrarë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Sipas Nevin Adnan, një psikologe dhe punëtore sociale me vendbanim në qytetin e Gazës, gratë zakonisht mund të përjetojnë simptoma psikologjike dhe fizike në ditët para dhe gjatë ciklit menstrual të tyre, si ndryshime në humor dhe dhimbje në pjesën e poshtme të barkut dhe në kurrizin e poshtëm. Këto simptoma mund të përkeqësohen gjatë kohës të stresit siç e kanë tani për shkak të luftës, sipas Adnan. “Zhvendosja shkakton stres ekstrem dhe ky ndikon në trupin e gruas dhe hormoneve të saj,”

Shumë gra janë të gatshme të marrin ilaçe për shtyrjen e menstruacioneve për të evituar turpin dhe vështirësitë për shkak të mungesës së higjienës, privatësisë dhe produkteve shëndetësore të disponueshme.”

Nevin Adnan

Megjithatë, edhe pse ajo e kupton gjendjen aktuale, Adnan tha se në rrethana normale është e rëndësishme të konsultoheni me mjek para se të merrni këto tableta, për të ditur çfarë efektesh mund të kenë këto pilula dhe përdorimi i vazhdueshëm i tyre në shëndetin fizik të një gruaje.

“Ata mund të ndikojnë në ndryshimet hormonale natyrale të gruas, datën e menstruacionit të saj për muajin e ardhshëm, sasine e gjakut që ajo humb dhe nëse e ndalon menstruacionin,” tha ajo për Al Jazeera.

As privatësi, as produkte higjienike

Samira al-Saadi, e cila është e zhvendosur me familjen në një shkollë të drejtuar nga OKB-ja në perëndim të Khan Younis, uron të kishte mundur të bëjë më shumë për vajzën e saj 15-vjeçare që ka pasur menstruacionet e saj të para para disa muajsh.

Vajza është e tronditur edhe për faktin që ka filluar të përballet me menstruacionet dhe që duhet t’i menaxhojë ato në një situatë të tillë. Ajo ka nevojë për produkte higjenike dhe ujë për larje, por këto nevoja themelore nuk janë të disponueshme.”

Samira është e frikësuar të blejë ilaçet për shtyrjen e menstruacioneve për vajzën e saj, pasi ka frikë se si mund të ndikojnë në shëndetin e fëmijës së saj.

“Ajo thjesht nuk e kupton pse duhet të kalojë gjithë këtë vështirësi,” thotë Samira. “Unë përpiqem ta ndihmoj, por ajo ka nevojë për gjëra që nuk janë në dorën time.”

Edhe Ruba Seif qëndron e strehuar me familjen e saj.

“Nuk ka privatësi, banjat nuk kanë ujë të rrjedhshëm, dhe nuk mund të dalim jashtë për të kërkuar atë që na duhet,” thotë 35-vjeçarja. Nuk mund të duroj dhimbjet menstruale nën frikën e intensifikuar që përjetojmë vazhdimisht, mungesën e gjumit dhe të ftohtin, pasi nuk ka mjaftueshëm mbulesa.”

Ideja e menaxhimit të menstruacioneve në këto kushte ka qenë një burim i vazhdueshëm i stresit për Rubën.

Ruba, e cila është e zënë duke u kujdesur për katër fëmijët e saj, më i madhi është 10 vjeçar dhe më të vegjlit dy vjeç, ajo vendosi t’i kërkonte vëllait që t’i blejë ilaçe për shtyrjen e menstruacioneve. Pas kërkimeve në disa farmaci, më në fund i gjeti ato.

“Gratë tjera në përreth meje m’i kanë kërkuar këto pilula,” tha Ruba. “Njëra prej tyre më tha se kishte kaluar ciklin menstrual më të keq në jetën e saj. Unë e di për efektet e tyre negative, por këto pilula nuk mund të jenë më të dëmshme sesa raketat, vdekja dhe shkatërrimi që po ndodhë përreth nesh”

Në kampin e refugjatëve Deir el-Balah, Salma duket e shqetësuar për efektet psikologjike dhe fizike të luftës mbi gratë, pasi shumica prej tyre janë të prekura jo vetëm nga problematika të tilla si shëndeti menstrual, por edhe ato për t’u kujdesur për fëmijët e tyre.

Të tjera