“Nuk është e tmerrshme të presësh diçka, e tmerrshme është kur nuk ke ç’të presësh.”
Gjatë kohë jam udhëhequr nga shprehja e Remarkut që nuk është e tmerrshme të presësh diçka, e tmerrshme është kur nuk ke ç’të presësh. Nuk e di nëse në pritje ka diçka të bukur, ose mbase shkrimtarët burra kanë arritur ta romantizojnë sepse kanë pasur nevojë të dinë që gratë do t’i presin. Nuk e di as sa pritja ju ka rënë burrave për hise. Ajo që e di mesiguri është që gratë pritjen e kanë përqafuar si diçka me të cilën është dashur të bashkëjetojnë që shekuj më parë.
Gjatë një vizitës time në Budva të Malit të Zi, insistova shumë të vizitoja statujën e balerinës së famshme që shitej si suvenir në gati çdo dyqan. Kur e pashë tek rrinte buzë detit kuptova që mesiguri po priste dikë, me vite të tëra, e bindur në atë që po bënte, e sigurtë në atë që po priste. Më vonë dëgjova legjendën e saj, një histori e një dashurie të humbur mes një balerine dhe një marinari nga Budva. Duheshin të dy, andaj marinari kishte vendosur të udhëtonte për të fituar para që të nisnin jetën së bashku. Vajza vizitonte çdo ditë bregun e detit për të parë valët, të cilat ajo shpresonte që do të ia sillnin të dashurin. Ka dy versione të përfundimit të kësaj historie: sipas të parës, deti nxorri trupin e pajetë të marinarit pikërisht në vendin ku sot është e vendosur statuja e balerinës. Sipas të dytës, vajza vdiq nga zemra e thyer, duke pritur besnike të dashurin e saj.
Kjo mesiguri nuk është historia e vetme e tragjedive të shoqëruara nga pritja. Sa e sa histori të grave shqiptare kemi dëgjuar, që me shumë durim kanë pritur burrat që kanë migruar në Evropë dhe Amerikë. Kjo me sa duket ka qenë realiteti i shumë grave vetëm ca dekada më herët, e që si ndonjë sëmundje e trashëgueshme po bartet te vajzat e reja, për shkak të partnerëve të tyre që zgjedhin të ikin nga vendi sot. Nëse kthejmë kokën dhe shohim vetëm njëzet e ca vite prapa, do shohim gratë kosovare të cilat braktisën Kosovën për shkak të luftës, duke i lënë burrat e tyre në luftë, pa e ditur në qoftë se do të ju kthehen ndonjëherë. Historitë e nënave që presin djemtë, historitë e nuseve që presin burrat, historitë e vajzave që presin baballarët, janë jo pak të njohura për njerëzit e Ballkanit. Dhe jo vetëm, sepse lufta ka prekur botën, e gratë janë detyruar të presin edhe në kontinentet tjera.
“Historia paskësh qenë e mbushur me gra që rrinin e prisnin, që vështronin horizontin çdo ditë në ndajmuzg duke u përpjekur të shquanin një shëmbëlltyrë të njohur dhe që thoshin me vete pikërisht këtë: Sot jo, as sot; po ndoshta nesër, nesër ndoshta.”
Është ky një fragment nga autori spanjoll Javier Marias në romanin “Berta Isla”. Berta është gjithashtu një grua që pret me ditë, me javë, me muaj e me vite. Partneri i saj, Tomasi, angazhohet nga shërbimet intelegjente në Britaninë e Madhe, andaj shpesh i duhet “të zhduket” për periudha të caktuara kohore. Gjatë viteve atij i lejohet të ndajë pak informacione për punën e tij, megjithatë veprimtaria e tij ngelet sekret edhe për Bertën. Një natë ajo e shoqëron për në aeroport për në Britani, për një prej misioneve të tij. Është ky fillimi i një pritjeje shumë të gjatë për Bertën, pa përgjigje nëse Tomasi është gjallë apo vdekur, nëse duhet ta vajtojë ose të shpresojë që do të kthehet. Edhe Berta është një tjetër balerinë Budve, që pret pa fund atë që dashuron.
“Kush mësohet që të jetojë në gjendje pritjeje, nuk e pranon asnjëherë plotësisht mbarimin e saj, është njëlloj si t’i heqin gjysmën e ajrit.”
Pritja ka marrë të tjera dimensione në kohërat e sotme. Nëse dikur gratë prisnin me javë që t’u mbërrinin letra e më të dashurve të tyre, sot gratë lidhin me dry veten për telefoni, në shpresë se do të marrin një mesazh. Duket sikur gratë kanë pritur aq shumë gjatë historisë, sa është bartur si një sjellje e mësuar ndër shekuj. Sot gratë presin edhe pa pasur nevojë, edhe kur kanë opsione tjera, edhe kur pritja nuk është e vetmja zgjidhje.
Ca javë më parë një kolege e imja më tha: “Mos e kuptoftë një djalë që t’i je aty dhe do e presësh, sepse do dijë të luajë me këtë ashtu si i vjen mbarë”. Ka shumë të vërteta në këtë fjali. Pritjen e grave burrat e kanë keqpërdorur edhe në kohë kur kanë jetuar larg tyre: duke i tradhëtuar, duke krijuar familje paralele në vende tjera, duke ua mbajtur lirinë në duar. Rregullat e njëjta nuk kanë vlejtur kurrë edhe për burrat. Sot, arrijnë ta shfrytëzojnë pritjen e grave në të tjera forma, duke e romantizuar madje. Kam kuptuar që nëse duam që gratë të jenë të lira, duhet t’i çlirojmë njëherë e përgjithmonë nga pritja.