Në RMV së fundmi ka pasur epidemi të disa sëmundjeve seksuale, qytetarët të painformuar për shëndetin reproduktiv

Edhe pse ka rritje të përdorimit të kontracepsionit në vend, nga 9.8% në vitin 2005 në 14% në 2020, përsëri 10% e tyre kanë të bëjnë me përdorimin e prezervativit. Kontraceptivë të tjerë, si pilula dhe spiralja, nuk përdoren ende. Është shqetësuese se mbi 35% e të rinjve ende mbështeten te abstinenca si metodë tradicionale për të parandaluar shtatzëninë e paplanifikuar. Nga ana tjetër, farmacistët janë zakonisht punonjësit e parë shëndetësorë nga të cilët të rinjtë kërkojnë informacion dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues, veçanërisht në kushte krize. Kjo është arsyeja pse Asociacioni për edukim shëndetësor dhe hulumtim- HERA ofroi një platformë për dialog mes të rinjve dhe farmacistëve në kuadër të konferencës kombëtare “Të rinjtë dhe farmacistët – Së bashku për kontracepsion të qasshëm!”.

Ne kemi probleme sistematike, por nuk kemi zgjidhje sistemike“, kështu thotë vullnetarja në HERA, Marija Gjorgjievska.

Ajo thekson se është lënë në mëshirën dhe vullnetin e mirë të individëve dhe disa organizatave që të bëjnë parandalimin dhe edukimin e njerëzve dhe gjatë pandemisë Kovid-19 u theksuan edhe më shumë problemet që kemi pasur kohët e fundit.

Ka të rinj që financiarisht nuk mund të përballojnë kontraceptivët, kështu që e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga shtatzënia e paplanifikuar dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme është të mbështeten në sektorin joqeveritar, i cili i siguron këto mjete në terren

Marija Gjorgjievska.

Nga ana tjetër, vullnetarja Martina Pavlloviç theksoi domosdoshmërinë e futjes së edukimit seksual gjithëpërfshirës në kurrikulat shkollore.

Vitet e fundit jemi përballur me epidemi të disa infeksioneve seksualisht të transmetueshme që mendonim se nuk ekzistonin më. Vetëm të rinjtë e vetëdijshëm dhe të edukuar do të dinë se çfarë është e drejtë, cilat janë të drejtat e tyre dhe si t’i pretendojnë dhe gëzojnë ato“, tha Martina Pavlloviç.

Çmimi i lartë në treg, papunësia dhe mosndërgjegjësimi i të rinjve për llojin dhe mënyrën e përdorimit të kontraceptivëve janë barrierat më të zakonshme me të cilat përballen të rinjtë. Këshilla më e rëndësishme që u japin farmacistët është të konsultohen me gjinekologun e familjes”, kështu thotë Vesna Stavrova, kryetare e Odës Farmaceutike.

Sipas saj, është shumë e rëndësishme që Ministria e Shëndetësisë të përfshijë farmacistët në programet e saja parandaluese sepse ata janë “punëtorët shëndetësorë më të qasshëm, që do të thotë se do të përfitonin jo vetëm qytetarët, por edhe vetë sistemi shëndetësor”.

Gjinekologia Tatjana Gurzhanova bën me dije se në shoqërinë tonë ekziston “hormonofobia” dhe informimi i pamjaftueshëm e për rrjedhojë edhe niveli i ulët i përdorimit të kontraceptivëve. Kontracepsioni hormonal, tha ajo, ekziston që nga viti 1960 dhe deri më tani janë zhvilluar preparate plotësisht të sigurta, efektet negative të të cilave janë reduktuar në minimum.

Të rinjtë preferojnë të vizitojnë farmacinë sesa mjekun e familjes apo gjinekologun, prandaj edhe edukimi është i rëndësishëm për farmacistët. Për të bërë rekomandimet e duhura, farmacisti duhet të bëjë pyetjet e duhura. Shtatzënia e paplanifikuar ka shumë më tepër efekte negative shëndetësore sesa kontracepsioni – si sociale ashtu edhe psikologjike – që nuk janë jetëshkurtër dhe jo të kthyeshme. Përveç kësaj, rekomandohet gjithmonë që farmacistët të këshillojnë të rinjtë që të përdorin kontracepsionin barrierë për të parandaluar infeksionet

tha Tatjana Gruzhanova.

Irina Luçeska nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor deklaroi se lista pozitive e barnave nuk është zgjeruar për 13 vjet dhe se në të nuk ka asnjë mjet kontraceptiv.

Për këtë, Maqedonia kritikohet nga agjencitë globale të zhvillimit, ndoshta me të drejtë. Por nga muaji mars e në vazhdim, pasi u miratua Rregullorja e re, çdo prodhues mund të aplikojë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të fillojë procedurën për vendosjen e kontraceptivit në Listën Pozitive. Nëse farmacistët janë pjesë e sistemit të këshillimit dhe informacionit për përdorimin e kontracepsionit, situata në vend sigurisht që do të përmirësohet”, tha Irina Luçeska.

Biljana Bozhinovska, farmaciste dhe pronare e barnatores “Dna Anni Farm”, theksoi se barnatoret janë hallkë e rëndësishme në përcjelljen e informacionit të saktë te të rinjtë, por edhe te prindërit e tyre.

Duke përdorur politikën e reklamave, farmacitë mund të kontribuojnë në luftën kundër stigmës dhe paragjykimeve për shëndetin seksual dhe riprodhues. Nga ana tjetër, në vetë farmacinë, çdo farmacist duhet të tregojë empati ndaj të riut dhe të dijë të bëjë pyetjet e duhura në lidhje me kontracepsionin”, tha Biljana Bozhinovska.

Sanja Sazdova, këshilltare shtetërore në Ministrinë e Shëndetësisë nënvizoi se në legjislacionin tonë nuk ka kufizime për përdorimin e kontracepsionit për të rinjtë, përveç pëlqimit të prindit kur bëhet fjalë për të miturit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Të tjera