Kryeredaktori i Mollëkuqja, Ardit Ramadani fitoi çmimin e dytë për gazetari etike dhe kreative

Çmimin e dytë për etikë dhe kreativitet gazetaresk, i ndarë nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe UNDP-, e fitoi kryeredaktori përgjegjës i portalit Mollëkuqja, Ardit Ramadani. Ai u vlerësua për artikullin e publikuar në Mollëkuqja, “Statistika: Gratë në MV s’e marrin hisen që ju takon, tradita më e fuqishme se ligji.”

“Mollëkuqja është mediumi i vetëm në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut që merret vetëm me tema që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe edukimin seksual. Andaj, ky çmim do të thotë shumë për ne si redaksi, është motivim që të vazhdojmë punën, përkundër sfidave, pasi trajtojmë tema të cilat ende konsiderohen tabu”, tha Ardit Ramadani, kryeredaktori i ‘Mollëkuqja.’

Në artikullin me të cilin u vlerësua Arditi dhe ‘Mollëkuqja’ ndahen statistika për vendet ku gratë në Maqedoninë e Veriut heqin dorë nga trashëgimia për të mos prishur marrëdhëniet me vëllezërit e tyre. Sipas rajoneve, në Pollog ka më pak pronare gra, edhe atë vetëm 17% të grave posedojnë prona në Tetovë dhe Gostivar.

  • Artikullin fitues e lexoni duke klikuar KËTU.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP)ndau solemnisht çmimet për “Kreativitet dhe etikë gazetareske”.

Çmimi i parë iu dha gazetarit Mihaill Milloshevski nga 360 gradë, çmimi i dytë iu dha Ardit Ramadanit ndërsa çmimi i tretë iu nda katër gazetareve – Vanja Micevska, Vesna Kolovska,Valentina Vurmo dhe Aneta Risteska.

Kryetari i SHGM-së Mlladen Çadikovski në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve theksoi rëndësinë e të pasurit dëshirë për kërkime dhe qasje etike ndaj punës, si mënyra të vetme për të luftuar numrin në rritje të informacioneve në epokën digjitale.

Të tjera