Në një rangim për vendet më të mira dhe më të këqija për gratë në Evropë, Kosova është renditur e parafundit, menjëherë pas Ukrainës, si një prej vendeve më të këqija. Indeksi i Grave, Paqes dhe Sigurisë tregon që në një rangim nga 0 si më e keqja, dhe 1 si më e mira, Kosova ka indeksin 0.664, pas Ukrainës indeksi i të cilës është 0.626 dhe e cila për momentin ndodhet në luftë me Rusinë. Rangimi është bërë nga Instituti i Grave, Paqes dhe Sigurisë Georgetown.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë afër njëra tjetrës me shumë pak dallim në rangim. Shqipëria ka indeksin 0.796, kurse Maqedonia e Veriut 0.798.
Metrikat që vlerësojnë sigurinë, përfshirjen dhe aksesin e grave në drejtësi ndryshojnë shumë sipas vendit dhe rajonit. Danimarka është listuar si vendi më i sigurtë për gratë, me një indeks 0.932. Pas saj vjen Zvicra, Suedia dhe Finlanda.
Sipas raportit “Përgjigja gjyqësore ndaj femicidit në Ballkanin Perëndimor – kuadri ligjor dhe praktika gjyqësore” nga viti 2020 deri në vitin 2022 në Ballkanin Perëndimor ka pasur 162 raste të femicidit.
Femicidi në Kosovë është shumë prezent dhe kjo ndihmon rangimin e saj si vend jo i sigurtë për gratë. Nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 58 gra. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, baballarët dhe djemtë. Përndryshe, në nivel global, në vitin 2021, rreth 45,000 gra dhe vajza u vranë nga partnerët e tyre intimë ose anëtarë të tjerë të familjes, që është më shumë se pesë gra ose vajza të vrara çdo orë.