Iden Temali: Gruaja përmes fotografisë nuk dua të hesht!

Iden Temali është artiste vizuale nga Shkodra që shumë shpesh nën objektiv i ka gratë që flasin përmes fotografisë. Në këtë bisedë do flasim rreth vajzës në fotografinë e këtij shkrimi, kush është, çfarë përfaqëson ai gur në shpinë.

  • Filozofët thonë se nuk e dinë se çfarë duan gratë. E di ti, Iden?

Njeriu është një qenie e komplikuar, ndaj pyetje të tilla nuk do të mund të kenë kurrë një përkufizim të saktë. Por unë mendoj se çdo grua meriton të ndihet e dashur dhe e vlerësuar, të respektohet dhe të ketë të drejta të barabarta në shoqëri. Për sa i përket marrëdhënies në çift, ajo do vëmendje, do komplimente dhe durimin tuaj…dhe të ndihet e mbrojtur në të gjitha aspektet nga partneri. Gratë duan mirënjohje… dhe një “të lumshin duart” kur keni përfunduar pjatën… nëse e ndihmoni edhe më pas, atëherë asaj i ka rënë lotaria. Një përqafim dhe një puthje çdo ditë…gjëra të thjeshta, por shumë të thjeshta.Të shohin se si përkujdeseni për të dhe fëmijët…Dhe një sekret që e kemi të gjitha është nevoja që të na dëgjoni me vëmendje…gjithmonë ajo vetë do t’ju tregojë se çfarë do dhe çfarë i mungon.

  • Kush është vajza në fotografi dhe cilën e ka barrë më të rëndë?

Vajza në fotografi jam unë, dhe barra më e rëndë është të qëndrosh e fortë dhe e patundur në një shoqëri pa bërë kompromise që cenojnë ideologjitë, vlerat dhe parimet personale.

  • Je ndjerë e cenuar në jetë, në ndonjë rrethanë për shkak të gjinisë?

Ka pasur raste që jam ndjerë e cenuar, por kam një sens të zhvilluar intuite; unë hyj tek njerëzit që i dal punës përpara ose disi e gjej mënyrën për ta zgjidhur. Në përgjithësi kam pasur fatin që kam qenë e rrethuar nga burra mbrojtës, duke filluar nga babai dhe të afërmit, të cilët e kanë çmuar lirinë time, kanë parë edhe kokëfortësinë time dhe më kanë mbrojtur dhe mbështetur në këtë aventurë që unë e quaj “Jetë”. Të dyja gjinitë duhet të jenë plotësuese të njëra-tjetrës. Pastaj kur më është dashur të luftoj për një të drejtë që më takon pavarësisht stereotipeve gjinore, e kam bërë si në familje, si me shoqëri.

  • Si duket gruaja në optikën tënde?

Me karakter, origjinale, me stil ajo përçon ide.  

  • Cila është gjëja më e çuditshme që ke dëgjuar për gratë?

“Që gratë janë seksi më i dobët.” Mos ta shohim vetëm në aspektin e ndryshimeve fizike që kanë dy gjinitë. Ky qëndrim është një stereotip që dëmton, pasi të dyja gjinitë kanë aftësi dhe veçori të ndryshme… është më mirë të flitet se çfarë të mirash mund të sjellin në shoqëri të dyja gjinitë.

  • I fotografon më shpesh gratë?

Duke qenë se jemi shoqëri patriarkale, aktivizmi e kërkon shpesh që të sensibilizoj për tema si “dhuna ndaj grave, integriteti i tyre në zona rurale, kanceri i gjirit, pasqyrimi i konditave jetësore… shpesh në subjekt është gruaja me një emërues të përbashkët, “bukuri shqiptare” kudo dhe në çdo situatë.

  • Gratë e lira si duken sipas teje?

Unë i admiroj gratë e lira. Flas për ato që nuk kanë frikë të shprehin mendimin e tyre, që bëjnë zgjedhjet e tyre dhe jetojnë jetën sipas vlerave dhe dëshirave që kanë. Kanë autonomi dhe nuk lejojnë që fatin e tyre ta përcaktojë dikush tjetër…Gratë e lira i gjen në politikë, në universitet, në mjekësi. Në familje ku një nënë zgjedh të rrisë fëmijët e saj e t’i dedikohet familjes. Gratë e lira kanë përmirësuar gjithmonë botën dhe do të vazhdojnë. Një grua e lirë për mua është Maria Curie, Gertrude Aderle, Rosa Parks, Lady Diana, Nënë Tereza, Sabiha Kasimati, Klodiana Lala, unë dhe ti dhe të tjera pa fund.

  • Me se po merret Ideni kohëve të fundit?

Kohët e fundit kemi themeluar një revistë bashkërisht me dy miket e mia, poeten Arjola Zadrima dhe artisten Jozefina Delia. Si derivat i saj po vjen edhe një podcast që i duhej qytetit të Shkodrës.

  • Ç’merr një grua nga një qytet si Shkodra?

Kemi një tokë të bekuar që mrekullon çdo sy dhe shpirt, që lind artistë dhe gjeni. Gratë në Shkodër dinë të japin, që nga Rozafa e deri ditët e sotme japin pa fund në çdo fushë. Por gratë me vizion, projekte dhe kontribut duhet patjetër të mbështeten nga politikat. Ndoshta po dal pak jashtë teme, por emigracioni po lë shenjë shumë të madhe edhe në qytetin tonë. Është e vështirë me rrogat e ulëta, çmimet e larta dhe të tjera problematika pa fund.

  • Çfarë flet rreth grave përmes fotografisë?

Flas për nevojat që kanë, për mundin që bëjnë, për sakrificat, për rrudhat dhe bukurinë e tyre. Për arritjet dhe për historitë e suksesit gjithashtu. Gruaja përmes fotografisë nuk dua të hesht…

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Related