Author: Anđela Petrovski
Author: Anđela Petrovski

Dhuna në familje në Kodin Penal: Si përkufizohet dhe cilat janë dënimet?

Dhuna në familje është një nga format më të rënda të krimit, kjo për arsyje se kryerësi i krimit është person me të cilin viktima ka raport të ndërtuar në besim, siguri, intimitet, e madje në dashuri. Kjo bën që pasojat e dhunës në familje, në numrim më të madh të rasteve, të jenë më të rënda në raport me krimet tjera. Por, duke i pasur parasysh karakteristikat e dhunës në familje, si e inkriminon Maqedonia e Veriut këtë formë të krimit?

Për dallim nga Kosova dhe Shqipëria të cilat dhunën në familje e inkriminojnë me nen të veçantë, në Kodin Penal të Kosovës në nenin 248 kurse në Kodin Penal të Shqipërisë  ne nenin 130/a, Maqedonia e Veriut dhunën në familje nuk e parasheh si nen të posaçshëm por e inkriminon atë në kuadër të veprave ekzistuese si formë më të rëndë të asaj vepre penale. Kodi Penal i RMV-së në vitin 2023 pësoi ndryshime në shumë drejtime, duke përfshirë edhe dhunën në familje.

Si e përkufizon Kodi Penal dhunën në familje?

>> Kodi Penal i RMV-së, neni 122 pika 21

“Me dhunë në familje nënkuptohet maltretimi, fyerja, kërcënimi i sigurisë, lëndimi trupor, dhuna tjetër gjinore apo psikologjike, fizike apo ekonomike me të cilën shkaktohet ndjenjë e pasigurisë, rrezikim apo frikë përfshirë edhe kërcënimet për veprime të tilla ndaj partnerit martesor, prindërve apo fëmijëve apo personave të tjerë të cilët jetojnë në bashkësi martesore apo jashtëmartesore apo amvisëri të përbashkët, si dhe ndaj partnerit të tanishëm apo të mëparshëm martesor, partnerit jashtëmartesor apo personave me të cilët kanë fëmijë të përbashkët apo gjenden në raporte të afërta personale, pa marrë parasysh se kryerësi a e ndan apo e ka ndarë vendbanimin me viktimën ose jo.”

Dhuna fizike në Kodin Penal të RMV-së

Një nga format më të shpeshta në të cilën manifestohet dhuna në familje është dhuna fizike. Në të njejtën kohë kjo është edhe forma që më së lehti vërehet te viktima. Dhuna fizike në Kodin Penal përfshihet në nenet 130 dhe 131 të cilat inkriminojnë lëndimet trupore dhe lëndimet e rënda trupore. Në rastin kur lëndimet trupore janë shkaktuar si pasojë e dhunës në familje, kryerësi dënohet me burg nga 6 muaj deri në 5 vjet, kurse kur mbi viktimën janë shkaktuar lëndime të rënda trupore, atëherë kryerësi dënohet me burg nga një deri në pesë vjet.

Të vrasësh dikë në kuadër të ushtrimit të dhunës në familje dënohet dy herë më shumë sesa vrasja nga paragrafi 1. Gjithashtu, ligjdhënësi ka lënë mundësinë të kryerësi të dënohet edhe me burgim të përjetshëm nëse rrethanat në të cilat e ka kryer veprën penale janë të rënda. Kjo parashihet në Kodin Penal të cituar në vazhdim. 

>> Kodi Penal, Neni 123 paragrafi 2 pika 2 (Vrasja)

“(1) Ai i cili do ta privojë tjetrin nga jeta, do të dënohet me burg së paku 5 vjet. (2) Më së paku 10 vjet burg ose me burgim të përjetshëm do të dënohet ai që: … 2) do të privojë tjetrin nga jeta gjatë ushtrimit të dhunës në familje … .”

Kodi Penal në nenin 125 parasheh “Vrasjen e çastit” që i referohet rasteve të shuma të cilat ne i dëgjojmë, kur viktima për shkak të dhunës së përjetuar e vret kryerësin e dhunës. Duke e pasur parasysh këtë fakt, Kodi Penal nuk parasheh që viktima të dënohet me nenin 123 si “Vrasje”, por atë e inkriminon me “Vrasje të çastit” si dhe parasheh tjetër sanksion, më të ulët sesa në rast të vrasjes. Pra, në rastet kur viktima e dhunës në familje vret kryerësin e dhunës mund të dënohet nga 1-8 vjet burg.

Dhuna psikike në Kodin Penal të RMV-së

Dhuna psikologjike është nga format e dhunës në familje e cila rrënjët i ka shumë të thella por në sipërfaqe rrallë herë ka shenja të saj. Në mënyrë që dhuna psiqike të mund të dënohet dhe kryerësi të sanksionohet, ligjdhënësi ka paraparë që edhe ajo të inkriminohet.

Si dhunë psikike Kodi Penal e parasheh edhe privimin e kundërligjshëm nga liria. Me privim të kundërligjshëm nga liria nënkuptohet burgosja apo ndonjë formë tjetër e marrjes apo kufizimit të lirisë së lëvizjes. Kur privimi nga liria bëhet në kuadër të dhunës në familje, kryerësi do të dënohet nga 6 muaj deri në tre vjet. Kjo parashihet në nenin 140 të Kodit Penal.

Kërcënimet, fatkeqësisht janë pjesë e jetëve të shumë viktimave. Por të kërcënosh dikë sipas Kodit Penal të RMV-së është e kundërligjshme. Në nenin 144 të Kodit parashihet rrezikimi i sigurisë i cili inkriminon kërcënimin serioz se kryrësi do të atakojë ndaj jetës apo trupit të viktimës ose ndonjë të afërmi të saj. Duke qenë se këto veprime janë pjesë e agjendave të kryerësve të dhunës në familje, ata të cilët ndërmarrin veprimet e lartëpërmendura gjatë kryerjes së dhunës në familje, mund të dënohen nga 3 muaj deri 3 vjet bug. Kjo parashihet në nenin 144 të Kodit Penal. 

Dhuna seksuale në Kodin Penal të RMV-së

Marrëdhëniet seksuale ende trajtohen si tema tabu për t’u diskutuar e sidomos shumë intime për ta raportuar nëse e njëjta bëhet me dhunë. Dhuna seksuale është pjesë e dhunës në familje dhe realitet i shumë viktimave të cilat pos dhunës psikike dhe fizike durojnë edhe atë seksuale. Fatkeqësisht kjo formë e dhunës është më së paku e raportuar, por nga ana tjetër është forma e krimit e cila ka pësuar shumë ndryshime ligjore ndër vite. Kodi Penal i RMV-së veprimet të cilat kanë karakter seksual por që janë ndërmarrë pa vullnetin e viktimës i inkriminon në 11 nene kurse në 2 prej tyre inrkiminohet dhuna seksuale në kuadër të dhunës në familje.

>> Kodi Penal, Neni 186 paragrafet 8 dhe 9 (Sulmi seksual dhe dhunimi)

Kur bëhet fjalë për dhunimin, ligjdhënësi ka mundësuar që vullneti i viktimës të jetë kyç në përcaktimin e asaj se a është kryer krim apo jo. Kjo do të thotë se çdo depërtim vaginal, anal apo oral me pjesë të trupit apo me send i cili bëhet pa vullnetin e viktimës konsiderohet vepër penale dhe dënohet nga 1 deri në 8 vjet burg. Por kur këto veprime ndërmerren nga  bashkëshorti aktual, ose ish bashkëshorti ose partneri intim, kryerësi dënohet me së paku 3 vjet burg. Kurse nëse depërtimi vaginal, anal apo oral me pjesë të trupit apo me send kryhet me përdorim të forcës ose kërcënimit mbi jetën ose trupin e viktimës apo të afërmve të saj, dënohet me së paku 5 vjet.

>> Kodi Penal, Neni 191 paragrafi 3 (Ndërmjetësimi në prostitucion)

Në kuadër të dhunës seksuale parashihet edhe ndërmjetësimi në prostitucion. Ky nen i referohet rasteve të shumta të cilat i kemi dëgjuar dhe lexuar kur bashkëshortët për para kanë ofruar trupin e bashkëshorteve të tyre që të huajt të kryejnë marrëdhënie seksuale. Rasti i cili përshkruan më së miri këtë nen është rasti i Gisele Pelicot. Sipas Kodit Penal të RMV-së, nëse ndërmjetësimi në prostitucion kryhet gjatë kryerjes së dhunës në familje, do të dënohet minimum 10 vjet burg.

Në Kodin Penal me ndryshimet e vitit 2023, dhuna në familje është paraparë në bazë të nevojave të shoqërisë sonë por edhe kërkesave të Konventës së Stambollit. Është e rëndësishme që të theksohet se raportimi i dhunës në familje është veprimi kyç në dënimin e kryerësit por dhe uljes së numrit të dhunës në familje.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera