Asnjë fjalë për barazinë gjinore në programet e kandidatëve shqiptar për president

Për pak ditë Maqedonia e Veriut do të zgjedhë presidentin e ri të shtetit. Gjithsej kandidatë synojnë këtë post, vetëm 2 prej tyre janë gra. ‘Mollëkuqja’ shfletoi programet e kandidatëve, për barazinë gjinore dhe të drejtat e komunitetit LGBTQ+ flitet te programet e disa kandidatëve pak, te pjesa më e madhe – aspak.

Pavarësisht se filluan kampanjën me gojën plot ‘Evropë’, në asnjë prej faqjeve të programeve të kandidatëve të përkatësisë etnike shqiptare, Arben Taravari dhe Bujar Osmani nuk përmendet barazia gjinore dhe planet e tyre për këtë.

Gordana Siljanovska Davkova nga VMRO DPMNE-ja zotohet për 2 pika në drejtim të barazisë gjinore. Thotë se kabineti i saj do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes si dhe në shërbimin diplomatik do të angazhohet për barazi gjinore më të madhe.

“Unë do të avokoj për përfaqësim të drejtë në të gjitha bazat, etnike, gjinore, fetare dhe natyrisht në raport me personat me nevoja të veçanta”, thuhet në program.

Presidenti aktual, Stevo Pendarovski nga LSDM-ja premton mbështetje për organizatat formale dhe joformale që luftojnë për barazi gjinore dhe barazi të personave me orientim seksual dhe identitet gjinor të ndryshëm.

“Mbështetja ime do të jetë publike, si më parë, por edhe konkrete. Vëmendje të veçantë do t’i kushtoj parandalimit të diskriminimit ndaj këtyre njerëzve dhe propagandës negative ndaj tyre dhe mënyrës së tyre të jetesës. Gjithkush ka të drejtë të ketë të mbrojtur dinjitetin e tij, në jetën personale dhe familjare dhe në mbrojtjen e privatësisë”, thuhet në program.

Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet me 24 prill, ndërsa rrethi i dytë me maj së bashku me zgjedhjet parlamentare.

Situata nuk qëndron më mirë as në zgjedhjet parlamentare. Asnjë grua shqiptare nga koalicioni opozitar ‘VLEN’ dhe ‘Fronti Evropian’ nuk do të kryesojë me ndonjë prej listave për deputetë.

Ndërsa partitë maqedonase kanë gra që do kryesojnë me listat zgjedhore. Lidhja Social Demokrate (LSDM) ua ka besuar grave këtë pozitë zonën 3 dhe 6. Ndërsa në listat e VMRO DPMNE-së vetëm në zonën 6 udhëheq një grua.

Vendi vazhdimisht ka qenë ‘cak’ i kritikave të ndërkombëtarëve në drejtim të mos-përfaqësimit gjinor adekuat.

Të tjera