Në Maqedoninë e Veriut gjatë viteve të fundit janë shpeshtuar rastet e gjuhës së urrejtjes në internet. Të dhënat tregojnë se më të prekura nga ky problem janë gratë, kryesisht fytyra publike por jo vetëm, si dhe pjesëtarët e komunitetit LGBTIQ+. Nga ana tjetër, institucionet nuk po bëjnë aq sa duhet në këtë drejtim, alarmon shoqëria civile dhe raportet ndërkombëtare.
Gjuhë urrejtjeje me bazë gjinore
Në Maqedoninë e Veriut, gjuha e urrejtjes me bazë gjinore haset nëpër rrjetet sociale, kryesisht në komentet dhe statuset në Facebook, veçanërisht në postimet në faqet e portaleve online. Më të targetuara janë gratë, të cilat zakonisht janë në funksione publike, fytyra publike, gazetare, influencere, por edhe qytetarë të thjeshtë.
Mes shumë shembujsh, mund të përmendim rastin e ministres së Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, e cila ishte shënjestër e gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve në rrjetet sociale. Ngjashëm edhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska e cila u përball me gjuhë të urrejtjes me bazë gjinore nga anë të ndryshme. Ka edhe raste të tjera ku cak janë gratë gazetare dhe aktiviste ndërsa krahas figurave publike, edhe qytetarët e thjeshtë madje edhe fëmijët shpesh bëhen pre e kësaj dhune digjitale.
Para disa muajve bujë bënë rastet e dy të miturave të zhdukura në Çair dhe dy vajzave të zhdukura në Qendër – Shkup. Këto dy raste u analizuan përmes një hulumtimi nga Instituti për Studime të Komunikimit ku u morën parasysh mbi 1500 komente në Facebook, rezultati ishte i qartë: “Gjuha e urrejtjes seksiste ndaj vajzave të reja përhapet përmes komenteve në raportet gazetareske në mediat sociale, të cilat janë terren pjellor për zhvillimin e përmbajtjeve dashakeqe dhe shqetësuese me bazë gjinore”.
Thuaj se çdo ditë komente me gjuhë të urrejtjes me bazë gjinore merr aktivistja e të drejtave të grave, Rita Behadini, drejtuese e Qendrës për Mundësi të Barabarta “Mollëkuqja”. Ajo thotë se sulmet më së shpeshti ndodhin online, “aty ku njerëzit mendojnë se jetojnë në një realitet tjetër”.
“Rasti i fundit ka të bëjë pikërisht me gjuhën seksiste të një imami, pas reagimit tim për këtë çështje, filloi avazi i zakonshëm i fyerjeve, ofendimeve dhe kërcënimeve. Kam paraqitur një prej kërcënimeve në polici dhe deri sot nuk kam informacion nëse personi është gjetur ose jo”, thekson Behadini.
Ajo nënvizon mes tjerash se këto çështje i prekin të gjithë, andaj edhe nxisin reagim, pasi njerëzit e kanë të vështirë të pranojnë dhe të hapen ndaj ndryshimeve.
“E gjitha kjo thjeshtë nga mungesa e informacionit, për shkak të propagandave që bëhen pikërisht ndaj këtij komuniteti. Shumica e njerëzve që janë “kundër” këtij komuniteti, nuk e dinë as domethënien e shkronjave LGBTIQ+”, thotë Rita, e cila shtoi se mediet shumë shpesh janë nxitës të urrejtjes.
Shifra brengosëse nga regjistri online i urrejtjes
Një mjet ku qytetarët e RMV-së e raportojnë gjuhën e urrejtjes është platforma online govornaomraza.mk ku raportet për raste të gjuhës së urrejtjes analizohen nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut të Republikës së Maqedonisë.
Nga muaji shkurt i vitit 2012 deri në korrik të vitit 2023 në këtë platformë janë regjistruar gjithsej 2074 raste të gjuhës së urrejtjes në internet, të cilat më pas ndahen në kategori të ndryshme.
Sa i përket rasteve të paraqitura të gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore nga shkurti i vitit 2012 deri në korrik të vitit 2023, platforma ka regjistruar gjithsej 130 raste. Kulmi është arritur në vitin 2020 me 34 raste të paraqitura.
Sa i përket rasteve të paraqitura të gjuhës së urrejtjes për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor nga shkurti i vitit 2012 deri në korrik të vitit 2023, platforma ka regjistruar 793 raste.
Duke parë rastet e raportuara për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor, më shumë raste u raportuan në vitin 2020, gjithsej 203 raste. Kulmi që u arrit në vitin 2020, ky vit është viti i pandemisë së COVID-19, i shënuar me izolim social dhe shpenzimin e shumicës së kohës duke komunikuar në internet.
Gjuha e urrejtjes ndryshon në varësi të ngjarjeve në shoqëri
Nga Komuniteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut, nën të cilin është edhe platforma ku raportohet gjuha e urrejtjes, govornaomraza.mk, theksojnë se në varësi të kontekstit social dhe politik ku ndodhemi, intensiteti dhe shpeshtësia e gjuhës së urrejtjes rritet ose zvogëlohet.
“Për shembull, gjatë muajit të Krenarisë, në raport me rritjen e dukshmërisë të komunitetit LGBTI dhe organizimit të Paradës së Krenarisë u rrit edhe gjuha e urrejtjes ndaj këtij komuniteti që ishte e dukshme në hapësirën online dhe në rrjetet sociale”, thanë nga Komiteti i Helsinkit në RMV.
“Gjuha e urrejtjes në internet nuk sanksionohet”
Gjuha e urrejtjes në internet në Maqedoninë e Veriut rregullohet në Kodin Penal, në nenin 394 g -përhapja e materialit racist dhe ksenofobik nëpërmjet sistemit kompjuterik”. Ky nen përshkruan gjithashtu arsyet mbi të cilat mund të ndëshkohet përhapja e materialeve raciste dhe ksenofobike në internet, dënimin, ndër të tjera. Gjithashtu edhe përmes nenit 319 – shkaktimi i urrejtjes, përçarjes ose jotolerancës në bazë nacionale, racore, fetare dhe bazë tjetër të diskriminimit.
Gjuha e urrejtjes është e përcaktuar edhe në disa ligje tjera si
- Ligji për Shërbimet Mediatike Audio dhe Audio-vizuale,
- Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi,
- Ligji i Përgjegjësisë Civile për Fyerje dhe Shpifje.
Avokatja Lejla Kadriu në lidhje me këtë problematikë shprehet se kryerësit nuk sanksionohen.
“Kryerësit nuk e ndjejnë pasojën e kryerjes së veprës penale sepse dënohen nën minimumin e paraparë, prandaj edhe shpesh e përsërisin të njëjtën vepër. Përgjigjen e kemi prej anketave, 3 përqind besueshmëria në gjyqësor dhe prokurori nuk është e rastësishme”, thotë Kadriu.
Ku janë ngecjet për këtë problem?
Sipas Komiteti të Helsinkit në RMV, ngecjet janë të shumta, nga mosnjohja e të folurit me bazë gjinore, deri te mos raportimi për shkak të mosndëshkimit, si dhe mosbesimit në institucione.
“Në përgjithësi, kemi rregullativë të mirë ligjore, por në praktikë, zbatimi i ligjeve për parandalimin dhe mbrojtjen nga gjuha e urrejtjes zakonisht përdoret për të mbrojtur më të privilegjuarit, pra politikanët aktualë dhe të mëparshëm. Këtë e dëshmon praktika e deritanishme gjyqësore e gjykatave vendase, pra nuk ka asnjë aktgjykim të vetëm për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore”, thanë nga Komiteti i Helsinkit në RMV.
Gjetje shqetësuese nga Metamorfozis
Me qëllim identifikimin e komponentit gjinor të rasteve të raportuara të gjuhës së urrejtjes në internet dhe për të hetuar mospërputhjen në trajtimin e këtyre rasteve nga autoritetet dhe publiku në Maqedoninë e Veriut, Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis” ka kryer një hulumtim.
Me synimin për të eksploruar mënyrën se si trajtohen këto çështje nga gjykatat penale përkatëse, ekipi hulumtues analizoi aktgjykimet e disponueshme ligjërisht të detyrueshme në lidhje me nenin 394-g të Kodit Penal. Gjithsej u analizuan 17 aktgjykime.
Sipas analizës, të gjithë të dënuarit kanë marrë dënim me kusht, nga 3 muaj deri në 1 vit, në rast se kryejnë vepër tjetër në periudhën prej 1 deri në 3 vjet. Gjuha e urrejtjes, bazuar në këto aktgjykime, më së shpeshti postohet në Facebook, në formë statusi apo komenti.
Ndërsa nuk ka aktgjykime për rastet kur baza e gjuhës së urrejtjes është gjinia apo seksi.
Aty theksohet se kur gjuha e urrejtjes përqendrohet te gjinia, e njëjta gjë hidhet poshtë nga shumica duke lënë vetëm disa aktiviste apo organizata feministe të jenë të zëshme pa ndonjë ndikim të madh.
Ndërkaq, siç tregon hulumtimi për shkak të moskuptimit të përbashkët të konceptit të gjuhës së urrejtjes dhe mungesës së besimit në institucione, gjuha e urrejtjes me bazë gjinore raportohet shumë më pak dhe në raste të caktuara është edhe shkaku i rritjes së dhunë fizike ndaj grave.
61 kallëzime për gjashtë vjet në MPB
Kontaktuam Ministrinë e Punëve të Brendshme për atë se sa denoncime ka nga viti 2017-2023 për gjuhën e urrejtjes me bazë gjinore, kush më shpesh janë kryerësit si dhe viktimat.
“Ju informojmë se në periudhën nga viti 2017 deri në vitin 2023, Departamenti i Krimeve Kompjuterike ka pranuar 54 kallëzime sipas nenit 394-g dhe shtatë kallëzime sipas nenit 319”, informoi MPB, duke mos u përgjigjur në pjesën se kush më shpesh janë kryerësit dhe kush viktimat.
Prokuroria nuk ka të dhëna për gjuhën e urrejtjes me bazë gjinore në internet
Edhe pse të pyetur për të dhëna në lidhje me hetimet dhe rastet e gjuhës së urrejtjes me bazë gjinore në internet në RMV, viktimat dhe kush më tepër janë kryerësit, Prokuroria Themelore Publike nuk na dha të dhëna.
“Prokuroria Publike nuk i veçon të dyshuarit apo të dëmtuarit në bazë të gjinisë apo karakteristikave tjera që nuk janë element i krimit. Gjithashtu, kini parasysh se gjuha e urrejtjes nuk është krimi i vetëm, pra vetëm format më të rënda të gjuhës së urrejtjes sanksionohen penalisht përmes disa krimeve të ndryshme, ndërsa për pjesën tjetër parashikohet lloj tjetër përgjegjësie”, thanë nga Prokuroria.
Përndryshe, kritika për gjuhën e urrejtjes në RMV pati edhe Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2023 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian.
- Burimi: Portalb.