Amerika, Evropa. Vlerat Euro-Atlantike. Demokracia. Liria.
Është bërë e zakonshme që ndër frazat më të shpeshta që përdoren nga politikanët e vendit gjatë kampanjave parazgjedhore të jenë këto. Megjithatë, me të përfunduar zgjedhjet ndonjë të dielë rreth orës 19:00 – pa pritur as edhe një minutë më shumë, të zgjedhurit e popullit në praktikë as s’duan të ja dinë për këto vlera të premtuara e proklamuara.
Kjo më së miri vërtetohet përmes raporteve të Komisionit Evropian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për vendin. Mollëkuqja ka analizuar raportin e DASh-it, me fokus në barazinë gjinore dhe të drejtat e njeriut – rezultatet, nuk janë të mira.
Dhuna dhe ngacmimi
Raporti thekson se është krijuar një sistem multisektorial dhe procedura standarde operative për të ofruar mbrojtje për individët e cenueshëm nga dhuna me bazë gjinore, duke përfshirë procedurat për përpunimin e kategorive të cënueshme të shtetasve të huaj, trajtimin e fëmijëve të pashoqëruar dhe ofrimin e trajtimit të viktimave të trafikimit.
Pati raportime për dhunë seksuale dhe me bazë gjinore ndaj migrantëve nga kontrabandistët dhe, në disa raste, nga rojet kufitare në vendkalimet tranzite.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Përdhunimi dhe dhuna në familje
Sa i takon përdhunimit, raporti thekson se ligjet janë kanë hasur në zbatim të dobët. Në lidhje me dhunën në familje dënimet të cilat shqiptohen nga ana e gjykatave konsiderohet të jenë shumë të buta.
Ligji u zbatua në rastet kur të mbijetuarit ngritën akuza, por shumë prej tyre jo. Avokati i Popullit i karakterizoi dënimet e gjykatave kundër shkelësve të dënuar si “tepër të buta” dhe tha se ato nuk kontribuojnë në zvogëlimin dhe eliminimin e formave të rënda të dhunës në familje dhe as nuk ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme për të mbijetuarit.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Në këtë drejtim, thuhet se nga janari deri në qershor, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka regjistruar 662 të mbijetuar të dhunës në familje, nga të cilat pjesa më e madhe ishin gra si dhe 83 fëmijë. Në qershor, ministria nisi një fushatë ndërgjegjësimi mbi dhunën me bazë gjinore.
Deri më 31 gusht, Avokati i Popullit kishte marrë tre ankesa në lidhje me dhunën në familje dhe i kishte referuar ato në Ministrinë e Brendshme për hetime të mëtejshme. Sipas Avokatit të Popullit, në shumicën e rasteve policia iu përgjigj në kohën e duhur incidenteve të dhunës në familje, megjithatë, ngurrimi i shpeshtë i të mbijetuarve për të raportuar sulmet tek autoritetet mundësoi mosndëshkimin.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Raporti vë në pah faktin që një pjesë e madhe e kallëzimeve penale të ngritura për dhunë në bazë gjinore, refuzohen, përkatësisht gjatë vitit të kaluar nga 625 kallëzime të tilla, 222 janë refuzuar.
Gjykata Penale e Shkupit vendosi për 45 raste të dhunës me bazë gjinore, nga të cilat 21 përfunduan me vendime përfundimtare që parashikonin dënim me kusht.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Në raport përmenden edhe aktivitetet e Qeverisë, organizatave joqeveritare dhe pushtetit lokal të ndërmarra në drejtim të përmirësimit të gjendjes në terren dhe ofrimit të ndihmave për viktimat.
Linja kombëtare falas SOS e ministrisë për të mbijetuarit e dhunës në familje vazhdoi të funksionojë gjatë gjithë vitit. Linja SOS dhe fushata ofruan ndihmë gjatë gjithë kohës, të saktë, në kohë dhe konfidenciale, duke përfshirë informacione për mbrojtjen e të mbijetuarve, shërbimet e disponueshme për të mbijetuarit e dhunës me bazë gjinore dhe në familje.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Ngacmimet seksuale
Në lidhje me ngacmimet seksuale, raporti thekson se atëherë kur viktimat ndoqën mjete juridike, qeveria zbatoi në mënyrë efektive ligjin.
Megjithatë, ngacmimi seksual i grave në vendin e punës mbeti një problem, dhe viktimat në përgjithësi nuk i çonin rastet për shkak të frikës nga opinioni dhe humbjes së mundshme të punës.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Më tej thuhet se deri më 20 gusht, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi shqyrtoi gjithsej 101 ankesa dhe vendosi se 51 ishin përgjigje legjitime dhe të merituara. Nga këto, komisioni konstatoi diskriminim në bazë të përkatësisë me grupet e margjinalizuara, orientimit seksual, identitetit gjinor ose gjinisë, aftësisë së kufizuar, familjes, statusit martesor dhe gjendjes shëndetësore.
Të drejtat riprodhuese
Sipas raportit, nuk ka pasur raportime për abort të detyruar ose sterilizim të pavullnetshëm nga ana e autoriteteve qeveritare, shqetësues ngelet paaftësia e shtetit që edhe grave në zonat rurale të ju mundësojë shërbime mjekësore adekuate.
Gratë nga zonat rurale kishin qasje të kufizuar në këshillimin për planifikimin familjar dhe shërbimet gjinekologjike.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Ky problem sipas raportit është më i theksuar te gratë rome, pasi ato u përballën me pengesa për të pasur qasje në këshillimin për planifikimin familjar dhe shërbimet gjinekologjike për shkak të diskriminimit, niveleve të larta të varfërisë, si dhe numrit të kufizuar të mjekëve të familjes dhe gjinekologëve në komunitetet e tyre.
Në mars më pak se një vit pas hapjes së një ordinance gjinekologjike të kujdesit parësor në Shuto Orizari, i vetmi specialist mjekësor doli në pension dhe ambulanca u mbyll. Përafërsisht 20,000 gra kryesisht rome, nga të cilat 8,000 ishin në moshë riprodhuese, kishin vështirësi për të pasur qasje në kujdesin mjekësor dhe shërbimet e planifikimit familjar në komunat e tjera. Institucioneve u mungonte kapaciteti për të adresuar këtë çështje, por ofruesit e shërbimeve mjekësore shfaqën gjithashtu mungesë interesi për të punuar me komunitetin rom për shkak të stereotipeve dhe paragjykimeve.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Në këtë drejtim, në raport thuhet se më 10 nëntor, Ministria e Shëndetësisë rihapi pikën ambulatore gjinekologjike në Shuto Orizari pas nënshkrimit të një kontrate me një ofrues të licencuar mjekësor dhe OJQ-në vendase Romalitiko.
Diskriminimi
Raporti thotë se ligjet dhe rregulloret e punës në përgjithësi ndalojnë diskriminimin në bazë të racës, gjinisë, identitetit gjinor, ngjyrës, aftësisë së kufizuar, gjendjes shëndetësore, opinionit politik, fesë, moshës, origjinës kombëtare, gjuhës ose statusit shoqëror, por Qeveria jo gjithmonë ka ditur t’i zbatojë këto ligje.
Ligji nuk trajton në mënyrë specifike diskriminimin bazuar në statusin e HIV-it ose sëmundjeve tjera ngjitëse, por i referohet gjendjes shëndetësore të punonjësve. Qeveria nuk i zbatoi gjithmonë ligjet në mënyrë efektive, megjithëse dënimet për shkeljet ishin në përpjesëtim me ato të ligjeve të tjera që lidhen me të drejtat civile. Ndaj shkelësve u aplikuan ndonjëherë gjoba.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Sipas raportit, pavarësisht se gratë kanë të njëjtin status ligjor si burrat sipas ligjeve, ato përjetuan diskriminim në ekonomi.
Gratë nuk janë në gjendje të punojnë në të njëjtat industri si burrat dhe nuk ka asnjë dispozitë ligjore që përcakton pagë të barabartë për punë të barabartë.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Më tej në raport thuhet se se pagat e grave ishin më të ulëta se ato të burrave dhe pak gra emëroheshin në poste drejtuese.
Sipas një analize të OJQ-ve të publikuar në vitin 2020, gratë fitonin mesatarisht 15 për qind paga më të ulëta se ato të burrave.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Mes tjerash thuhet se organizatat joqeveritare raportuan një rritje shprehjeve transfobike dhe homofobike gjatë vitit. Ndërsa theksohet se Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut gjithashtu ka raportuar se ka rritje të retorikës ofenduese dhe homofobe.
Në raport gjithashtu përmendet pjesëmarrja e ulët e grave në pushtetin ekzekutiv dhe atë legjislativ. Rikujtojmë që Mollëkuqja disa herë ka raportuar për këtë.
Shfrytëzimi seksual i fëmijëve
Raporti thekson se ligji ndalon të gjitha format e shfrytëzimit seksual komercial të fëmijëve dhe parashikon dënime nga 10 deri në 15 vjet burg për shkelje, dhe se autoritetet zbatuan ligjin.
Vendi kishte një regjistër në internet, të kërkueshëm me emër dhe adresë, të trafikantëve të dënuar të fëmijëve dhe shkelësve seksualë, duke renditur fotografi, të dhëna dënimi dhe adresën e banimit. Që nga 1 shtatori, regjistri renditi gjithsej 299 shkelës (13 gra dhe 286 burra), tetë prej të cilëve u dënuan gjatë vitit. Që nga 1 shtatori, 172 ishin liruar nga burgu dhe pjesa tjetër vuanin dënime me burg nga dy deri në 20 vjet.
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
Puna e detyruar e grave
Gratë dhe vajzat i sipas të dhënave i janë nënshtruar punës së detyruar brenda vendit në restorante, bare dhe klube nate. Përveç kësaj, ata edhe janë shfrytëzuar seksualisht.
Kishte raste kur gratë dhe fëmijët iu nënshtruan punës së detyruar, si shitja e sendeve të vogla në restorante dhe bare si dhe shfrytëzimi seksual
Raporti i DASh për RMV-në për vitin 2022
- Raportin e plotë të vitit 2022 të Departamentit Amerikan të Shtetit për Maqedoninë e Veriut mbi praktikat e të drejtave të njeriut mund ta lexoni KËTU.
Kujtojmë që edhe Raporti i fundit i Komisionit Evropian për vitin 2022 mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese listoi një sërë kritikash she sugjerimesh se ku duhet të fokusohet vendi për reforma në drejtim të barazisë gjinore.