Linja SOS e hapur nga “Ezra” për mbështetje të pacientëve me kancer funksionon 24/7 tashmë për një vit e gjysmë, dhe vetëm gjatë vitit të kaluar kjo linjë ka pranuar mbi 1500 telefonata. Sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, gjatë vitit 2021 në Maqedoninë e Veriut numri i të diagnostifikuarve me kancer ka qenë 6795 persona, nga të cilët 3914 e kanë humbur jetën.
Linja është e hapur për të gjithë pacientët me kancer dhe konsiston në shërbime si: konsulta falas, mbështetje psikologjike, udhëzime sociale dhe paruke për gratë në nevojë pas procesit të kemoterapisë. Për momentin linja funksionon vetëm në gjuhën maqedone.
Linja është e hapur për shumë njerëz varësisht nevojave të tyre, që kur janë diagnostikuar e deri në shërbime të ndryshme, dhe e gjitha kjo jo vetëm që diagnoza është një tronditje, por nevojitet drejtim për të lundruar në labirinthet e sistemit tonë të mangët shëndetësor dhe nevoja për mbështetje psikologjike e cila ështe segment shumë i rëndësishëm ne gjithë rrugëtimin e diagnozës. Nevoja për udhëzime dhe informacion është arsyeja që ekziston kjo linjë dhe realisht ka interes të madh. Aktualisht kjo linjë është në gjuhën maqedonase por shumë shpejt do mundësohet qasja edhe në gjuhën shqipe dhe gjuhë tjera sipas nevojës së pacientëve
Liridona Beqiri – Drejtoreshë Ekzekutive e “Ezra”
Të ndara sipas gjinisë, të dhënat e Institutit për Shëndet Publik tregojnë që në vitin 2021, përqindja e burrave të diagnostifikuar me kancer është 53%, në krahasim me gratë ku përqindja është 47%. Numri i burrave që humbin jetën për shkak të kancerit është gjithashtu më i lartë në krahasim me gratë, në një proporcion 60 me 40 përqind, përgjatë viteve.
Kanceri i gjirit vazhdon të ngelet më i pranishmi mes pacienteve me kancer. 806 gra janë diagnostifikuar me kancer në vitin 2021, nga të cilat 321 e kanë humbur betejën. Ndërkohë që te burrat, kanceri më i shpeshtë është kanceri i mushkërive. Nga gjithsej 542 burra të diagnostifikuar në vitin 2021, 529 kanë humbur jetën.
Nevoja për informacion dhe ndihmë gjatë periudhës së diagnostifikimit, por edhe pas, është e madhe. Vitin e kaluar linja SOS ka pasur mbi 1500 telefonata. Këto thirrje nuk kanë qenë vetëm nga pacientë, por edhe nga të afërm të tyre të cilët duan të informohen dhe kërkojnë asistencë në avokimin e të drejtave të tyre apo lehtësimin drejt realizimit të të njëjtave, duke pasur parasysh që plasimi i informacioneve dhe shërbimet nga institucionet përkatëse shëndetësore, sipas Liridona Beqirit, nuk janë të kanalizuara në mënyrë të duhur dhe shpesh herë pacientët nuk mund të gjinden.
“Stigma tashmë dalëngadalë po kapërcehet. Sidomos pasi telefonatat mbeten anonime, pacientët nuk e kanë problem të thërrasin për ndihmë. Por gjithmonë ka shumë për të bërë. Duhet të edukohemi që për këto tema duhet të flasim hapur dhe pa paragjykime, në mënyrë që të kuptojmë që arsyeja gjithmonë duhet të jetë më e fortë se kompleksi”, thotë Beqiri.
Gratë vazhdojnë të jenë kategoria që ka më tepër nevojë për ndihmë, duke pasur parasysh edhe numrin e lartë të të diagnostifikuarave me kancer në gji çdo vit.
Zakonisht ka telefonata nga më të ndryshmet por do theksonim që kategoria e grave të sapooperuara janë ata që paraqiten më shpesh për udhëzime të mëtejshme në lidhje me terapitë përkatëse, paruke, suplemente dhe asistence psikologjike e cila është më se e nevojshme në këtë beteje, si dhe shkëmbim të përvojave me gra të tjera që kanë kaluar një fazë të tillë e që sot kontribuojnë në Shoqatë
Liridona Beqiri – Drejtoreshë Ekzekutive e “Ezra”
Thirrjet në përgjithësi pranohen nga të mbijetuarit nga kanceri, që kanë ecur në të njëjtën rrugë, dhe janë të edukuar për të drejtat e pacientit. Ata kanë të gjitha informacionet në lidhje me kancerin, janë psikolog dhe sociolog që janë bashkëudhëtarë të EZRA-s që nga themelimi.