Qerime Halil Radisheva “Shota”
Qerime Halil Radisheva që njihet me nofkën e trimërisë “Shota”. Ka lindur në vitin 1895 në Drenicën veri-perëndimore të Kosovës. Qerimja kishte gjashtë vëllezër, por përkundër faktit që ishte e vetmja vajzë në familje, ajo u rrit në kundërshtim me normat apo doket gjinore të asaj kohe. Qerimja e shoqëronte të atin nëpër oda, fliste për luftën, aksionet dhe organizimin për çlirim nga pushtuesi i huaj. Ishin këto veti të Qerimes që edhe i dhanë nofkën e trimërisë, “Shota”
Sot, ajo njihet si “Shote Galica”, mbiemrin në fjalë e mori prej krahinës për të cilën luftoi, meqë banorët e asaj krahine e thërrisnin kësisoj. Në vitin 1915, ajo ishte ndër të rrallat gra që sfidoi mentalitetin e kohës dhe prishi një lidhje martesore me mblesëri, në mënyrë që të mos heqë dorë nga pavarësia e saj. Më pas, u martua me Azem Bejtën, menjëherë pasi ai ishte arratisur nga Burgu i Pozharevcit, ku gjendej si i burgosur politik. Tërheqja e tyre kishte ndodhur më herët, në odën e shtëpisë së Shotës, gjatë mbledhjeve kur diskutoheshin strategjitë politike. Ai më pas u shndërrua në shokun e saj të idealeve të përbashkëta për çlirim – ata madje lindën një djalë, Sandrin, por për fat të keq nuk arriti të mbijetojë më shumë se gjashtë muaj.
Në vitin 1919, Shota u angazhua në kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit. Në vitet 1922 – 1923, Shota luftoi për zonën neutrale të Junikut e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës dhe Malësisë së Madhe. Pas vdekjes së Azemit në vitin 1924, ajo udhëhoqi çetën si kryekomandate e saj. Dalja e Shotës, maleve e veshur si burrë, nuk u prit mirë nga bashkëluftëtarët e saj. Madje, për këtë arsye disa syresh zgjodhën, që ta braktisnin çetën. Lufta e saj ishte e dyfishtë: kundër pushtuesit të huaj dhe zakoneve prapanike të vendit. Shota e kreu betejën e saj të fundit në vitin 1926 në Llaushë të Gecajt, ku dhe u plagos rëndë. Kjo qe dhe lamtumira e saj me Kosovën dhe 12 vitet që i kushtoi përpjekjes për pavarësi.
Nora e Kelmendit
Nora e Kelmendit ishte një grua shqiptare e shekullit të 17-të që tashmë është shndërruar në legjendë për bukurinë dhe mbi të gjitha, trimërinë e saj. Ajo njihet edhe si ‘Helena e Shqipërisë’ për bukurinë si dhe për faktin që shkaktoi një luftë të madhe. Ekzistojnë dy verzione të Norës: të dyja përfundojnë me Norën që vret një Pasha të Ushtrisë Osmane, i cili kishte premtuar se do ta bënte Malësinë hi në qoftë se Nora nuk do të bëhej gruaja e tij.
Gjatë sundimit turk, Kelmendi luftoi për të mbrojtur trojet, edhe pse varfëria dhe i ftohti bënin të veten. Një ditë, ishte përhapur fjala se kushdo që në ato ditë do të dorëzohej, qoftë burrë apo grua, do të falej dhe do të dëmshpërblehej për dëmet e shkaktuara nga lufta. Por si kusht për këtë marrëveshje, thuhej se Kelmendasit do t’i çonin Vuçi Pashës vajzën më të bukur të kësaj zone. Në mbledhje për të vendosur se si do t’i përgjigjen Pashës ngrihet Nora dhe thotë: “Vllazën dhe motra unë nuk e mbaj veten për më të bukurën e këtyre maleve por jam e gatshme që unë të shkoj tek Vuçi Pasha dhe të kuvendoj me të ashtu siç ai ka kërkuar. Dijeni se unë nuk e di se çfarë fati kam, por u betohem për këtë qiell e për këtë tokë se e virgjër po shkoj dhe e tillë do të kthehem”.
Ditën që ajo vendos të bëhet gati të shkojë tek pashai zgjedh veshjen më të bukur që kishte gjithashtu edhe stolitë. Gjithashtu nuk harron që në brez të marrë me vete një thikë të hollë e të gjatë. Kur shkon tek kampi turk ajo flet me rojën dhe i thotë që ka ardhur të takojë Pashain për marrëveshjen. Pasha e pret me shumë kënaqësi dhe turbullohet nga bukuria e Norës. Fillojnë bisedimet për marrëveshjen dhe Pasha do që të bindë Norën për dorëzim. Nora e kupton kur është çasti për t’i ngulur thikën drejt e në zemër Pashës. Pasha as mundi që të pëshpëriste më. Nora shpejt e shpejt pa u vënë re largohet nga kampi turk dhe nxiton që të shkojë dhe t’u japë lajmin e mirë Kelmendasve, që Pashai s’është më. Ka kaluar shumë kohë por Nora dhe trimëria e zgjuarsia e saj nuk janë harruar. Për këtë histori ka dy verzione, në të dyja versionet, Nora vret pashain në një duel të drejtë. Në dy versionet emri i pashait është Vutsi Pasha nga Bosnja.
Tringë Smajli
Tringë Smajli Martini Ivezaj ka lindur në vitin 1870, jashtë Shqipërisë njihet si ‘Albanian Joan of Arc’, ishte një luftëtare guerile shqiptare e cila luftoi kundër Perandorisë Osmane në rajonin e Malësisë së Madhe. Në vitin 1911 New York Times i dedikoi Tringës një artikull me titullin “Heroina e pashme zë vendin e babait dhe mposht turqit”. Pas vdekjes së vëllezërve të saj, Tringa u bë një burrneshë e betuar, përkatësisht grua e betuar për të jetuar si burrë, në shoqërinë patriarkale të shqiptarëve të Veriut.
“Shpesh ndodhë që ato të vriten”, citohet të ketë thënë për ‘NY Times’ Tringa kur flet për vajzat shqiptare të trajnuara për të gjuajtur me armë. Ajo kishte shtuar se ‘Të shtënat me armë zjarri janë pothuajse argëtimi i vetëm për të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri. Të dy djemtë dhe vajzat mësojnë të gjuajnë kur janë 12 vjeç’. Në këtë Intervistë, Tringa kishte thënë se shqiptarët janë fizikisht raca më e mirë në Europë. Gratë shqiptare ajo i kishte përshkruar me flokë të errëta e me sy ngjyrë hiri.
Për Tringën u shkruan shumë këngë, versioni folklorik i heroizmit të saj tregon një zinxhir pak më ndryshe të ngjarjeve. Smajl Martini, udhëheqësi i klanit u rrëmbye në 1911 në Vranjë nga Osmanët dhe trupi i tij nuk u gjet kurrë, duke e detyruar Tringën të zinte vendin e babait të saj. Tringa u bashkua me kryengritësit dhe u shqua në betejën e Deçiqit (sot qyteti i Tuzit në Malin e Zi). Ajo mori pjesë në Memorandumin Grek më 23 qershor 1911, ndërsa aktiviteti i saj rebel vazhdoi dhe pas shpallje së pavarësisë së Shqipërisë. Legjenda e saj jeton në të gjithë Ballkanin, si një nga gratë luftëtare më heroike në historinë e rajonit.