Kanuni, si një kod zakonor që rregullonte jetën shoqërore të shqiptarëve, ka pasur një qasje kontradiktore ndaj gruas dhe dhunës. Nga njëra anë, ai e përjashtonte gruan nga hakmarrja dhe gjakmarrja, por nga ana tjetër, e vendoste atë në një pozitë të varur nga burrat dhe normat patriarkale duke mos vendosur vet për fatin e saj. Në disa raste e mbrojtur, por shpesh e pafuqishme.
Sipas Kadaresë Kanuni i përjashtoi gratë nga gjakmarrja nga makineria vrasëse që ishte një cikël i pandalshëm vdekjesh, por nuk e mbrojti atë nga dhuna.
Me Kanun gratë nuk vriteshin për hakmarrje, kjo ndodhte për disa arsye, gruaja shihej si qenie e pambrojtur dhe e shenjtë në raport me gjakmarrjen dhe hakmarrja konsiderohej një çështje mes burrave.
Por, shtrohet pyetja a i mbrojti gratë Kanuni, i kurseu nga dhuna ekstreme?
Fatkeqësisht jo, Kanuni nuk e përjashtonte plotësisht dhunën ndaj grave, bile në disa raste e legjitimonte, si kur fjala vinte te disiplinimi nga burri në rast se gruaja nuk respektonte normat e familjes, dënimin për tradhti bashkëshortore, që ishte shumë më i rëndë për gratë sesa për burrat, mungesën e të drejtës së trashëgimisë, që e vendoste gruan në varësi ekonomike nga burrat e familjes.
Mirëpo edhe pse Kanuni mohon shumë të drejta të grave, ai gjithashtu u jep atyre një rol të veçantë si ndërmjetëse të paqes. Kadare e përmend këtë aspekt në analizat e tij mbi traditën shqiptare, duke treguar se gratë shpesh ishin ato që ndërhynin për të ndaluar gjakmarrjen. Përkundër kufizimeve, gruaja kishte një rol të rëndësishëm si ndërmjetëse e pajtimit. Ajo mund të ndërhynte për të ndaluar gjakmarrjen dhe shpesh respektohej kur kërkonte falje për një vrasje. Nga Kanuni ka ngelur që gruaja te ecë para burrit, pasi nëse kishte një grua prijëse viktima konsiderohej e mbrojtur, nuk merrej gjak para një gruaje.
Pra, Kanuni e mbronte gruan nga dhuna ekstreme, por nuk e shpëtonte atë nga forma të tjera të pabarazisë dhe nënshtrimit. Në shumë raste, ajo ishte viktimë e një sistemi që e kufizonte fuqinë dhe të drejtat e saj.
Ismail Kadare ka trajtuar shpesh Kanunin dhe ndikimin e tij në jetën e shqiptarëve, veçanërisht tek gratë. Ai e sheh Kanunin si një sistem ligjor të ashpër, që i vendos gratë në një pozitë të nënshtruar dhe i trajton si “qenie të margjinalizuara” brenda një bote burrërore.
Kadare thekson se Kanuni e përjashton gruan nga vendimmarrja dhe e vendos në një pozicion të varur dhe të shtypur. Në shumë vepra të tij, ai e portretizon gruan si një figurë tragjike, e cila nuk ka fuqi mbi fatin e saj. Për shembull:
Në “Prilli i thyer”, gruaja e Gjorgut është një figurë e heshtur, që nuk mund të ndryshojë rrjedhën e gjakmarrjes.
Në “Kush e solli Doruntinën”, trajtohet tema e besës dhe martesës së paracaktuar, ku gratë nuk kanë të drejtë të kundërshtojnë fatin e tyre.
Sipas Kanunit, gratë nuk kishin të drejtë të merrnin pjesë në hakmarrje, gjë që Kadare e sheh si një lloj përjashtimi nga dhuna, por edhe nga fuqia. Kjo i linte ato në një gjendje të pasigurt: nuk vriteshin për hakmarrje, por as nuk mund të mbronin familjen e tyre përmes hakmarrjes.
Kadare e sheh Kanunin si një sistem që e ka mbajtur shoqërinë shqiptare të lidhur pas një mentaliteti arkaik, veçanërisht në trajtimin e grave. Ai thekson se modernizimi kërkon tejkalimin e këtyre zakoneve dhe krijimin e një shoqërie ku gratë kanë barazi dhe liri.
Për Kadarenë, Kanuni është një sistem që ka formësuar shoqërinë shqiptare, por që ka krijuar edhe trazira, tragjedi dhe padrejtësi, veçanërisht për gratë. Ai e kritikon këtë sistem dhe sugjeron se vetëm largimi prej tij mund ta çojë shoqërinë shqiptare drejt një të ardhmeje më të drejtë me gra të çliruara nga sundimi burrëror. Për rikujtesë, ja çfarë thuhet në Kanun mbi detyrat e gruas dhe burrit në familje:
Detyrët e burrit ndaj gruas:
- a) me u përkujdesë për veshë e mbathë e për gjithshka të lypet për me mbajt jeten;
- b) me e ruejtë nderën e grues e mos me e lanë me u ankue për kurrnji nevojë.
Detyrët e grues ndaj burrit:
- a) me i a ruejtë nderin burrit;
- b) me i rrogue pa zhibla;
- c) me i ndejt nënë sundim;
- d) m’u përgjegjë detyrave të kunorës;
- e) me rritë e me mkambë fmin me nderë;
- f) me i ndejë gadi me të veshmen e të bathmen (kah e qepmja)
- g) mos me i u përzie në fejes të të bijave e bijve.