‘E dua xhudon, përkundër sfidave’, tha xhudistja Berna Sherifovska, që dëshmon se xhudo s’është sport i meshkujve

Që e vogël kishte interesim të madh për artet marciale, deri sa një ditë u dashurua në shikim të parë me xhudon, sot janë bërë 16 vite që ajo merret me këtë sport dhe numëron shumë suksese. Për sfidat e vajzave në artet marciale, ‘Mollëkuqja’ bisedoi me xhudisten nga Shkupi, Berna Sherifovska.

Vetëm 9 vjeçe ishte kur rastësisht shkoi ta shihte vëllaun se si stërvitej dhe u dashurua në këtë sport, thotë se ishte diçka shumë e natyrshme, si obsesion në shikim të parë.

“E mbaj mend stërvitjen e parë sikur mbaj mend ditën e djeshme. Isha 9 vjeçe dhe për disa kilogramë isha më e rëndë se kimonoja që kisha veshur, por xhudo më hyri nën lëkurë njëherë e përgjithmonë”, rrëfen Berna.

Sot, Sherifovska thotë se është xhudistja me më shumë medalje në kampionatet ballkanike, gjithsej 7. Ajo fitoi medalje edhe në Kupën Ndërkontinentale në Tunis, Tunizi si dhe vendin e 5-të në Kupën Ndërkontinentale në Rumani.

“Filozofia e xhudos është të përdorësh forcën e kundërshtarit për ta mposhtur atë. Nuk kam qenë kurrë jashtëzakonisht e fortë fizikisht, shumicën e kohës i kam mposhtur kundërshtarët me teknikë. Xhudo është një sport jashtëzakonisht inteligjent dhe kërkon shkathtësi dhe dinakëri”, thotë Berna.

Megjithatë, fillimet nuk kanë qenë edhe aq të lehta për të dhe shumë vajza që merren me artet marciale.

“Gjithmonë mund të jetë më mirë. Ne nuk kishim palestër 24/7 ku mund të stërviteshim. Megjithatë kemi marrë pjesë në shumë gara. Mendoj se mungojnë kampe stërvitore, të cilat janë mënyra më efikase që sportistët të përparojnë në këtë sport”, tha Sherifovska.

Berna tashmë është edhe trajnere e licencuar, thotë se ka në plan të hap klubin e saj, përkundër faktit që konsideron se xhudoja në vendin tonë është shumë pak e zhvilluar.

“Sa i përket vajzave, ekziston ende ajo stigma se vajzat nuk munden ose nuk duhet të bëjnë sporte marciale, se këto janë sporte të vrazhda me të cilat vajzat do të kishin një zhvillim të parregullt ose “jo femëror”, tha Berna.

Ajo thekson se është përballur me paragjykime të ndryshme nga rrethi, “por nuk e lashë kurrë që të ndikonte tek unë, sepse e dija që nuk ishte kështu”.

Megjithatë, ajo shton se ende një numër i madh i prindërve në përgjithësi kanë frikë edhe ti regjistrojnë vajzat e tyre për shkak të lëndimeve apo gjërave të ngjashme.

Krahas xhudos, Berna është aktive edhe në një fushë komplet ndryshe nga sporti, ajo është edhe mjeke e e përgjithshme dhe punon vullnetare në Qendrën Klinike Universitare ‘Nënë Tereza’ në Shkup.

Për fund ajo porositi që sporti dhe xhudoja ndihmojnë në mënyrë të veçantë për t’i ndërtuar individët gjatë gjithë jetës së tyre, duke shtuar “Vajza nuk ka asgjë që nuk mund të bëni nëse vendosni që do ta bëni. Ndiqni gjithmonë ëndrrat tuaja”.

Të tjera