Në Maqedoninë e Veriut vetëm tre vitet e fundit kanë abortuar 347 vajza nën moshën 20 vjeçe si pasojë e shtatëzanisë së paplanifikuar, më e reja është 13 vjeçe. Kjo sipas gjinekologeve me të cilat biseduam mund të lë pasoja afatshkurta dhe afatgjata në shëndetin e tyre fizik dhe psiqik, marrë parasysh moshën e tyre të re. Gjinekologët alarmojnë që në këtë moshë ka edhe aborte të paregjistruara pasi kryhen në ambiente të pasigurta dhe johigjienike. Studimet thonë që një ndër mënyrat më efikase për të parandaluar këtë fenomen është edukimi seksual i hershëm, shkruan Mollëkuqja.mk.
Gjithsej 11,084 gra kanë abortuar në Maqedoninë e Veriut për vetëm tre vitet e fundit, gjegjësisht nga viti 2018 deri më 2020, prej të cilave 347 janë vajza të moshës nën 20 vjeçe kurse më e reja është një vajzë 13 vjeçe.
Shoqata e Gjinekologëve dhe Obstetërve Maqedonas (MAGO) disa muaj më herët kishte publikuar fakte shqetësuese në lidhje me abortin te të miturat, edhe atë në vitin 2020 kishte 20 pacientë nën moshën 15 vjeçe që kishin lindur në RMV ndërkaq në përqindje të numrit të përgjithshëm të lindjeve për vitin 2020, rreth 4,9 për qind e të posalindurve kanë lindur nga gra shtazëna të mitura, gjegjësisht të moshës nga 15 deri në 19 vjeçe.
Mollëkuqja përgaditi infografik për këtë:
Maqedonia e Veriut çështjen e abortit ligjërisht e rregullon më mirë se disa nga shtetet e Bashkimit Evropian, kjo si pasojë e ndryshimeve ligjore që u bënë në vitin 2019 ku u përfshi edhe mundësia e ndërprerjes së shtatzënisë deri në javën e 9-të të shtazënisë me metodë mjekësore dhe në institucion të kujdesin shëndetësor parësor (KSHP).
Përkundër faktit që të gjithë gratë të cilat kanë arritur moshën e pjekurisë mund të vendosin vetë për të drejtat e tyre riprodhuese deri në javën e 12-të të shtatzënisë, duke nënshkruar një dokument, vajzat të cilat janë të mitura këtë mund ta bëjnë me pëlqim me shkrim të prindit apo kujdestarit të tyre.
Pasi të ketë kaluar një kohë e konsiderueshme e shtatzanisë, gjegjësisht pas javës së 22-të shtatzënisë, ndërprerja e saj vendoset nga një komision i përbërë nga dy mjekë të specializuar në gjinekologji dhe obstertikë dhe një punonjës social. Megjithatë, në qoftë se gruaja nuk shtë dakord me vendimin e komisionit i cili konsiderohet të jetë i shkallës së parë, ajo ka të drejtë të ankohet në komisionin e shkallës së dytë që përbëhet nga dy mjekë të specializuar në gjinekologji dhe obstetrikë, një mjek i specializuar në kirurgjinë pediatrike, një psikolog dhe një anëtar me të paktën pesë vjet përvojë pune në fushën e barazisë gjinore.
Përveç kësaj, duhet theksuar që në Maqedoninë e Veriut ekziston mundësia që gratë të ndërpresin shtatzëninë me medikamente përveç metodës klasike kirurgjikale, andaj ato e zgjedhin atë mundësi edhe kur t’i drejtohen institucioneve shëndetësore.
Aborti te të miturat, fenomen i cili mund të parandalohet në qoftë se ndërmerren masa
Pacientja më e re e Klinikës Gjinekologjike dhe Obstetrike e cila ka abortuar është e moshës 13 vjeçe. Mollëkuqja siguroi statistikat nga Instituti për Shëndet Publik që tregojnë se çdo vit dhjetëra vajza nën moshën 20 vjeçe abortojnë.
Ky fenomen është më i përhapur te vendet të cilat janë të pazhvilluara ekonomikisht dhe jo vetëm, konsiderohet që në këto vende rreth 21 milion vajza të moshës nga 15 deri 19 vjeçe abortojnë, ndërkaq rreth 780,000 vajza të mitura lindin në moshën më të re se 15 vjeçe.
Sipas gjinekologes specialiste në “One Hospital”, Irena Gosheva, aborti jo domosdo mund të lë pasoja afatshkurta apo afatgjata, megjithatë, mundësitë që kjo të ndodhë nuk janë të vogla, ajo për Mollëkuqja i sqaroi disa nga këto pasoja.
“Ajo që është më e rëndësishme është që ndërlikimet e abortit rriten me javën e shtatzënisë, pasi sa më e gjatë të jetë java e shtatzënisë aq më të mëdha janë rreziqet për komplikime. Një nga rreziqet është këputja e mitrës apo perforimi, por duhet përmendur edhe çarjet e mundshme të traktit të poshtëm gjenital, të cilat janë vërtet të rralla, por potencialisht serioze dhe madje fatale. Nga disa studime, deri më tani rreziku i perforimit të mitrës është <1%, që është i ngjashëm me shkallën e dëmtimeve të qafës së mitrës dhe vaginës. Perforimi ndodh kur instrumenti i përdorur për të hequr fetusin shpon qafën e mitrës. Faktorët e rrezikut që kjo të ndodhë janë kryesisht përvoja e operatorit, por edhe operacionet e mëparshme gjinekologjike ose anomalitë e traktit riprodhues, adoleshenca si dhe shtatzënia e avancuar. Komplikime të tjera nga aborti në tremujorin e parë janë gjakderdhja, heqja jo e plotë e produkteve të ngjizjes, infeksioni pas ndërhyrjes. Këto komplikime vlejnë për të dyja metodat e kryerjes së një aborti, medikaoz (me pilula) ose kirurgjikale. Në abortet kirurgjikale, gjakderdhja si ndërlikim ndodh < 1% dhe është kryesisht për shkak të atonisë, placentimit jonormal ose koagulopatisë së pranishme, ndërsa trauma kirurgjikale është vërtet e rrallë. Ndryshe nga metoda kirurgjikale, me metodën medicinale gjakderdhja është më e shpeshtë. Përsa i përket infeksioneve, shkalla është <0,3% si për metodat kirurgjikale ashtu edhe për ato me medikamente” tha mjekja specialiste, Irena Gosheva.
Gosheva tha se duhet përmendur edhe vdekshmëria si ndërlikim i mundshëm i abortit, megjithatë shtoi se sipas një studimi të viteve 2008-2012 në ShBA „gjatë kryerjes së abortit të ligjshëm, vdekshmëria është <1 për 100.000 procedura të kryera dhe duhet theksuar se shkalla më e ulët është vdekshmëria tek gratë është nëse shtatzënia ndërpritet herët, pra është 0.3 në 100.000 procedura të kryera < 8 javë shtatzënie, më tej 2.5 nga java 14-17 e shtatzënisë dhe 6.7 nëse aborti kryhet nga java 18-20 e shtatzënisë.
Duhet theksuar se të dhënat e disponueshme i referohen aborteve të kryera ligjërisht dhe në mënyrë të sigurt. Fatkeqësisht, vlerësohet se çdo vit rreth 3 milionë vajza të moshës 15-19 vjeç kryejnë një abort të pasigurt. Shkalla e vdekjeve dhe shumica e komplikimeve të rënda lidhen me abortet e pasigurta dhe të paligjshme.
E përveç pasojave afatgjata dhe afatshkurta të abortit te të miturat, specializantja në Gjinekologji dhe Obstetrikë, Rina Purrini, shtoi se në krahasim me gratë, adoleshentet janë më të prirura për aborte të cilat shkaktojnë rrezik më të madh mjekësor dhe psikologjik.
“Në krahasim me gratë, adoleshentet vendosin për abort në javë gestative më të vonshme (kur fetusi është më i madh) – ky faktor shkakton rezik më të madh mjeksor dhe psikologjik. Kjo ndodh për arsye të mosdijes që ka shtatëzani ose nga nevoja për të fshehur shtatëzaninë. Gjithashtu, të miturat kanë tendencë të kryejnë aborte të pasigurta në kushte johigjienike. Përvec kësaj, ato me vetiniciativë përdorin metoda të rrezikshme, sikur vendosja e trupave të huaj në qafën e mitrës ose përdorin barna të pasigurta për të abortuar” tha Rina Purrini për Mollëkuqja.mk.
Aspekti psikologjik, me çka përballen të miturat me shtatëzani të padëshiruar?
Në lidhje me këtë biseduam me psikologen dhe profesoreshën Fatime Ziberi, ajo potencoi që ky fenomen dëmton seriozisht mirëqenien psikofizike të të miturave për shkak të moshës shumë delikate për t’u përballur me diçka të tillë.
“Nga vetë fakti se flasim për shtatëzëni të padëshiruar, kjo dëmton seriozisht mirëqenien psikofizike te një e e mitur, mbase edhe mosha është shumë delikate si periudhë zhvillimi kjo në vetëvete është një situatë traumatike për të miturën. Frika, pasiguria, ankthi, turpi, gjithë këto bashkë janë shkak për çrregullime më serioze psiqike si depresion, mendime suicide si zgjedhje e vetme, por edhe në psikoza të niveleve të ndryshme. Kur themi frikë, mendojm për reagimin fillestar që ata përballen me veten çka tani? Pasiguri për të ardhmen por edhe për jetën e tyre në përgjithësi, përfshirë këtu edhe problemet të mirëqenies dhe shëndetit fizik. Pasiguri dhe dëmtim serioz i imazhit për veten qofshin atij fizik apo dhe atij psiqik. Mosbesimi dhe paaftësia për të iniciuar dhe mbajtur mardhënie afektive. Gjithë kjo situatë sa konfuze aq dhe e vështirë duke shtuar këtu dhe turpin si ndjenjë e shoqëruar me pendimin mbeten për një periudhë të gjatë të introjektuara dhe të depozituara në eventin traumatikë dhe padyshim nëse nuk trajtohen, çojnë në pasojat e lartëpërmendura” tha Fatime Ziberi, psikologe.
Edukimi seksual, e vetmja mënyrë për të parandaluar këtë fenomoen
Sipas mjekes specialiste në Gjinekologji dhe Obstetrikë Irena Gosheva, një ndër mënyrat më efikase për parandalimin e këtij fenomeni të rrezikshëm sidomos për të miturat është edukimi në shkolla në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues si dhe sugjëroi që prindërit të jenë më të hapur me fëmijët e tyre për këto tema.
“Absolutisht konsideroj se edukimi në shkolla mund të jetë një burim jashtëzakonisht i rëndësishëm informacioni i saktë për shëndetin seksual dhe riprodhues, i cili do të kontribuonte në uljen e shkallës së shtatzënive të paplanifikuara, dhe rrjedhimisht në uljen e shkallës së ndërprerjeve vullnetare të shtatzënive. Ajo që nuk duhet lënë anash si burim kyç informacioni janë prindërit, të cilët janë një hallkë shumë e rëndësishme në këtë zinxhir informacioni. Prandaj, prindërit duhet t’i hapin në mënyrë adekuate këto tema ose t’u tregojnë të rinjve saktësisht se ku dhe si të marrin informacion, qoftë përmes një bisede me një punonjës mjekësor, punonjës shëndetësor apo portalet e internetit – ku flasin ekspertë të fushës” tha Gosheva.
Ajo shtoi që edukimi seksual përveç që do të zvogëlonte shkallën e shtatzënive të padëshiruara, por do të ulte ndjeshëm edhe shkallën e sëmundjeve tjera gjinekologjike.
Në të njëjtën vijë është edhe gjinekologia specializante e punësuar në Qendrën Klinike Universitare për Gjinekologji, Rina Purini, sipas së cilës në qoftë se këto tema do të mësoheshin në arsimin formal, do të kishte ulje të shtatzanive te adoleshtentet si dhe sëmundjeve tjera.
Sipas hulumtimeve, edukimi seksual në shkolla shkakton ulje të shifrave të shtatzanive tek adoleshentët, rritje të përdorimit të kontrasepsionit si dhe ulje të infekcioneve seksualisht të transmetueshme. Kjo është metodë kyce për zhvillimin dhe informimin adekuat dhe të sigurtë në mënyrë që të rinjtë të kujdesen për shëndetin e tyre
Rina Purrini
Ndryshe, përveç shtatzënive të padëshiruara vlen të theksohet që në Maqedoninë e Veriut numri i personave me sëmundje seksualisht të transmetueshme është i lartë, alarmant është edhe numri i rasteve të përdhunimit si dhe abortit të vajzave nën moshën 20 vjeçe. Andaj, përfshirja e edukimit seksual në kurrikulat shkollore konsiderohet të jetë si diçka e domosdoshme, rikujtojmë që pilot-programi për këtë lëndë filloi në tre shkolla të Shkupit dhe një në Tetovë por asgjë konkrete nuk rezultoi nga ajo, nxënësit ende nuk e kanë këtë lëndë në kurrikulat shkollore.