Narges Mohammadi, aktiviste e zëshme në luftën kundër shtypjes së grave në Iran është fituese e çmimit Nobel për Paqe për vitin 2023. Aktivizmi i saj i guximshëm ka ardhur me kosto të jashtëzakonshme personale. Gjithsej, regjimi e ka arrestuar 13 herë dhe e ka dënuar shumë vite burg, ku edhe aktualisht ndodhet.
Komiteti Norvegjez i Nobelit ka vendosur t’i japë Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2023 Narges Mohammadit, për luftën e saj kundër shtypjes së grave në Iran dhe luftën e saj për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe lirinë për të gjithë.
Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Narges Mohammadi u quajt “luftëtare e lirisë”, ndërkaq në këtë ditë u theksua edhe slogani i protestave paqësore kundër brutalitetit dhe shtypjes së grave nga autoritetet iraniane, “grua, jetë, liri” i cili erdhi pas vrasjes së Mahsa Jina Aminit nga policia iraniane në paraburgim shtatorin e vitit 2022.
Ky slogan shpreh përkushtimin dhe veprën e Narges Mohammadit.
GRUA – ajo lufton për gratë kundër diskriminimit dhe shtypjes sistematike. JETË – ajo mbështet luftën e grave për të drejtën për të jetuar jetë të plotë dhe dinjitoze. Kjo luftë në të gjithë Iranin është përballur me persekutim, burgim, torturë dhe madje edhe vdekje. LIRI – ajo lufton për lirinë e shprehjes dhe të drejtën e pavarësisë, dhe kundër rregullave që kërkojnë që gratë të qëndrojnë jashtë shikimit dhe të mbulojnë trupin e tyre. Kërkesat për liri të shprehura nga demonstruesit vlejnë jo vetëm për gratë, por për të gjithë popullatën.
Komiteti Norvegjez i Nobelit.
Narges Mohammadi që nga vitet e 1990 si studente dallohej si një aktiviste për barazi dhe të drejtat e grave. Ajo ka qenë shumë e zëshme për heqjen e dënimit me vdekje. Ajo aktualisht ndodhet në burg në Teheran. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar që edhe pas grilave ajo të vijojë luftën e saj. Nga burgu, ajo filloi të kundërshtonte përdorimin sistematik të regjimit të torturës dhe dhunës seksuale ndaj të burgosurve politikë, veçanërisht grave, që praktikohet në burgjet iraniane. Nga robëria, Mohammadi ka ndihmuar që vala e protestave të vitit të kaluar të mos kenë përfunduar.