Studimet tregojnë se fëmijët zhvillojnë ide në moshë të hershme rreth asaj se cilat punë janë të përshtatshme për djemtë dhe cilat për vajzat, të gjitha këto ide krijohen si rezultat i vëzhgimit dhe perceptimit të realitetit të jashtëm rreth tyre. Kjo mund të jetë nga familja, nga librat, përrallat, media, televizioni dhe shumë faktorë të tjerë. Si rezultat i kësaj, njerëzit që në moshë shumë të hershme gradualisht mësojnë se cila punë është e përshtatshme për secilën gjini.
Fëmijët mbledhin dhe përpunojnë të gjithë informacionin që i rrethon, si për shembull ata shohin që mësuesit në përgjithësi janë më shumë gra apo pastruese, ose për shembull shoferët apo mekanikët në përgjithësi janë burra. Fakt që flet më së shumti është dukuria ku vajzat e reja gjenden më shpesh pranë nënave të tyre duke i ndihmuar në punët e shtëpisë, pastrimin ose hekurosjen, kurse djemtë me baballarët e tyre duke ju ndihmuar të lajnë makinat e tyre, të kosisin lëndinën, të bëjnë punë teknike, dhe të ngjashme.
Rol të madh luajnë përrallat të cilat prindërit ua lexojnë fëmijëve të tyre, e që për nga natyra janë mjaftë diskriminuese për të dyja gjinitë, sepse i trajtojnë vajzat si viktima ku patjetër që një princ duhet të vijë për t’u siguruar atyre mirëqenien. Gjithashtu, ndarja e lojërave dhe ngjyrave për djemtë dhe vajzat krijon një stereotip të gabuar i cili rezulton të jetë negativ dhe me shumë pasoja për të ardhmen. Prandaj, si rezultat i këtyre ndarjeve dhe ideve, fëmija ngadalë fillon të identifikojë se gratë priren të jenë më të buta dhe burrat të jenë më të fortë, që në fund të ditës është gabim.
Përderisa fëmija rritet, ai/ajo fillon të vizualizojë jetën e tij/saj dhe fillon planet. Ata ngadalë do të fillojnë të bëjnë zgjedhjet e tyre, kryesisht në adoleshencë, dhe kjo moshë është tepër e ndjeshme dhe e rëndësishme në jetën e individit, paragjykimet dhe stereotipat luajnë një rol të madh në psikikën e tyre dhe si rezultat ata përpiqen të bëjnë zgjedhje brenda “roleve gjinore” që i ka krijuar shoqëria, pa kompromentuar gjininë e tyre. Këto zgjedhje tradicionale vijnë si rezultat i ndikimeve nga shoqëria, familja, media. Dhe, nuk është për t’u habitur se vajzat do të zgjedhin diçka më “femërore” dhe djemtë diçka më “mashkullore”. Si rezultat i kësaj në ndarjen tradicionale të punës; burrat krijojnë idenë se forca, mjeshtëria dhe autoriteti janë karakteristike dhe i përcaktojnë ato, ndërsa gratë duhet të komandohen nga burrat. Që është më se e gabuar, sepse çdo kush, pavarësisht gjinisë së tyre duhet të merr atë që meriton.
Studimet tregojnë se ka shumë pak dallime gjinore midis burrave dhe grave. Përveç dallimit në gjini, shumica e dallimeve tjera janë të vogla deri në inekzistente. Studiuesit pretendojnë se ndryshimet e vërteta vijnë nga rrethi dhe shoqëria që i krijon, sepse ndryshimet biologjike janë shumë të vogla. E gjithë kjo ka një ndikim shumë të madh dhe fatkeqësisht negativ në të gjitha sferat e jetës, me theks të veçantë në politikë dhe në ekonomi, që janë dy nga faktorët më të rëndësishëm të mirëqenies së një shoqërie.
Historia e çekuilibrit gjinor është shumë e gjatë. Një nga arsyet kryesore për këtë pabarazi gjinore është se ne jemi të lidhur me zakonet e vjetra. Historikisht, rolet kryesore janë bartur nga burrat dhe në industri të caktuara, të tilla si teknologjia ose prodhimi ku mospërputhja është më e dukshme. Le të marrim si shembull, një pozicion inxhinierik. Tradicionalisht, gjithmonë ka pasur më shumë aplikantë burra në një rol si ky, kështu që natyrshëm këta kandidatë burra punësohen dhe gradualisht promovohen në role menaxheriale.
Edhe pse në ditët e sotme gjërat kanë ndryshuar dhe më shumë e më shumë vajza dhe gra vendosin të studiojnë inxhinierinë dhe zhvillimin e uebit, është ende e vështirë për ta të hyjnë në këtë hapësirë mbizotëruese nga burrat. Edhe kur përfshihen në këta fusha, ata hasin në një rrugë pa dalje. Për burrat, rruga e karrierës duket e paracaktuar; menaxherët e tyre burra tashmë e kanë “krijuar” rrugën. Por është shumë e vështirë për gratë të konkurrojnë me kolegët e tyre burra të cilët tashmë janë në rrugën “e duhur” për t’u bërë menaxherë. Më e rëndësishmja, është vërtet sfiduese për gratë të avancojnë karrierën e tyre nëse nuk ka udhëheqëse të tjera gra që mund të japin shembullin konkret.
Prandaj, detyra jonë si shoqëri është që t’i eliminojmë këto paragjykime dhe këto stereotipa me bazë gjinore, që na shoqërojnë për çdo ditë, sepse efektet e tyre nuk kontribuojnë për një shoqëri të shëndoshë. Ata vetëm se sjellin pasoja dhe problem të vazhdueshme të cilat janë në dëm të individëve por edhe të një shoqërie të tërë.