Mësimdhënësit anashkalojnë përmbajtjet për trupin e njeriut në lëndën e biologjisë, nxënësit me pasoja nga mos informimi

Në shkollat fillore në Maqedoninë e Veriut ende nuk ka ligjërohet lënda e Edukimit Seksual. Mundësia e vetme ku nxënësit mund të mësojnë për trupin e tyre dhe shëndetin seksual është lënda e biologjisë, ku informacionet për trupin e njeriut mësohen sipërfaqësisht në një kapitull. Kur jemi këtu, nëpër shkolla ka raste kur arsimtarët e anashkalojnë këtë pjesë, duke u mohuar kështu të drejtën në informacion nxënësve. Bashkëbiseduesit tanë konfirmojnë se janë të njohur apo vetë kanë përjetuar me këtë fenomen. Shoqëria civile dhe psikologët alarmojnë se përveç që kjo pjesë duhet të mësohet në shkolla, duhet që në planprogram të futet edhe Edukimi Gjithëpërfshirës Seksual. Ministria e Arsimit thotë se në terren nuk kanë konstatuar se ky kapitull anashkalohet në shkolla.

Çfarë thonë nxënësit që janë dhe kanë dalë nga bankat shkollore?

Xheneta Aliji, e sapo diplomuar tregon se gjatë kohës kur ajo ka qenë në shkollë fillore në lëndën e Biologjisë nuk i kanë mësuar pjesët ku është përmendur riprodhimi njerëzor apo të ngjashme.

Aspak nuk i kemi përmendur kapitujt. I kemi kaluar kapitujt me arsyetimin “për shkaqe kohe”. Sot që kanë kaluar disa vite nga kur kam dalë nga bankat e shkollës, mendoj se është dashur t’i mësojmë, t’i përmendim për ta njohur më mirë trupin tonë, pasi në atë moshë është e nevojshme.

Xheneta Aliji

Nga ana tjetër, Njomza Behadini e cila sapo ka përfunduar gjimnazin thotë se edhe i kanë mësuar këto pjesë edhe jo, por pjesërisht.

Edhe i kemi mësuar edhe jo. Edhe pse plan-programet përfshijnë deri diku tema për trupin tonë ato shpesh injorohen nga arsimtarët dhe nuk u mësohen nxënësve. Edukimin seksual më shumë e kemi biseduar në orën e Përparimit të Shëndetit me informata shumë të kufizuara dhe atë vetëm në prezencë të vajzave. Përderisa diçka vendoset në librat e shkollës dhe pritet që të jetë pjesë e orës, secili arsimtar ua ka borxh nxënësve që t’i informojë për temën.

Njomza Behadini

Biseduam edhe me disa nxënës të shkollave fillore, ata thonë se këtë pjesë ose e tejkalojnë komplet ose e përmendin sipërfaqësisht, ndërsa të rralla janë rastet kur ato e mësojnë “siç duhet” këtë pjesë.

Profesoresha Shaqiri: Ky anashkalim bazamentin e ka në kulturën e edukimit të bazuar në kufizime dhe tabu tema në interakcionin midis familjarëve dhe antarëve të një shoqërie.

Profesoresha e biologjisë, Njomza Shaqiri thekson se ky fenomen është përsëritur në gjeneratat më të vjetra të mësimdhënësve të biologjisë dhe jodiskutimi i pasojave ka bërë që të vazhdon kjo dukuri si diçka e drejtë.

Sistemi arsimor në RMV nuk ka mangësi në kuptim të hapësirës së trajtimit të riprodhimit njerëzor në librat shkollor dhe të plan-programeve. Në klasë të gjashtë, kur kushtimisht fëmijët hyjnë në fazën e pubertetit, për të gjitha sistemet tjera të organizmit mësohet terminologjia, ndërsa sistemi riprodhues në vete ngërthen edhe fiziologjinë e organeve dhe fazën e pubertetit në veçanti. Në klasë të nëntë mësohet mbi citologjinë e gametave, anatominë dhe fiziologjinë e organeve riprodhuese, ciklin menstrual, aspektet endokrinologjie të sistemit riprodhues, shtatzëninë, sëmundjet venerike dhe format e mbrojtjes nga shtatzënitë e padëshirueshme, pra mjaftueshëm që nxënësi t’i merr të gjitha informacionet bazë mbi këtë aspekt. Mësimdhënësit janë të detyruar t’i realizojnë të njëjtat. Hapësira e vetme që ato mund ta shfrytëzojnë për arsyetim është baza ligjore që i jep të drejtë mësimdhënësit ta ndryshoj 30% të plan-programit, nëse mendon që diçka më e rëndësishme mungon në plan-programin e standardizuar nga Byroja për zhvillim të arsimit.

Njomza Shaqiri

Ndërkaq, sipas saj problemi bazë në mosrealizim është psikologjia kolektive e “tabu temave” , ku në suaza të kësaj kategorie edukative hyn edhe mospërdorimi i terminologjisë së sistemit riprodhues me mosha të reja, jodiskutimi i temave të ndjeshme me to, siç janë forma e riprodhimit njerëzor, mbrojtja nga shtatzënitë e padëshirueshme në përditshmëri dhe kjo pastaj reflektohet edhe në raportin mësimdhënës – nxënës.

Fëmijët e moshave shkollore janë në tranzicion të vazhdueshëm të formimit të tyre intelektual, psikologjik, emocional dhe fizik. Nëse njëri nga këto element të mozaikut mungon, gjithsesi do të sjell pasoja në zhvillimin e personalitetit të tyre, sjelljes kolektive apo edhe në vendimet dhe hapat që ato do të ndërmarrin në jetë. Mësimet mbi fazat e zhvillimit trupor, aftësisë së tyre riprodhuese që nga mosha e pubertetit, rëndësia e familjes, shtatzënitë e hershme, krijimi i familjes në moshë të hershme apo aborti , si dhe njohuritë mbi sëmundjet venerike dhe format e transmetimit të tyre, do të mundësojnë që të parandalohen abortet në moshë të re, identifikimin e hershëm të sëmundjeve venerike apo  endokrine te moshat e reja, do të ndihmoj në orientimin e drejtë të tyre seksual dhe jetë të shëndetshme në suaza të normave shoqërore dhe fetare.

Njomza Shaqiri

Ajo thekson se mësimdhënësit e biologjisë në radhë të parë duhet ta kuptojnë detyrën dhe obligimin e tyre që del nga lënda që ligjërion, obligim si edukator dhe profesionist, më pas interesimi i nxënësve nuk mungon.

Shumë pak nxënës, sidomos ato të gjinisë mashkullore kanë informacione bazë mbi riprodhimin dhe orientimin seksual nga ana e prindërve. Informacionet kryesisht i shkëmbejnë midis veti dhe i marrin të papërpunuara nga interneti. Roli i mësimdhënësit në këtë rast është udhëzimi, zbërthimi i dukurive devijante gjinore, proceseve fiziologjike, kujdesit shëndetësorë dhe sqarimi i rolit të familjes së shëndoshë në një shoqëri. Suksesi në këtë rast nuk mungon.

Njomza Shaqiri

Psikologjia Adili: Ky anashkalim i bën nxënësit të ndihen të huaj në trupin e tyre

Ky anashkalim i kësaj pjese në lëndën e biologjisë, sipas psikologes Vala Adili është një paragjykim i vetë mësimdhënësve se nxënësit mund të jenë në siklet të dëgjojnë dhe të zhvillojnë një temë të tillë.

Në fakt kjo është më shumë temë e arsimtarit se sa e nxënësve, ai i ik “ sikletit” të vet duke mos e zhvilluar temën. Sistemi i arsimit nuk e kërkon këtë nga arsimtari, përkundrazi, plan-programet shkollore janë të qarta, adekuate, në testimet përfundimtare nuk anashkalohen pyetjet nga ajo fushë, mund të themi që përgjegjësia e arsimtarëve është ulur meqë rrallëkush mund ta përmendi këtë anashkalim. Normalisht që mbyllja karshi kësaj teme e bën të huaj diçka që është krejt e natyrshme, dhe si çdo mbyllje tjetër rrit problemet, tabutë, rrezikun për sëmundje i cili shtohet edhe më shumë me të huajsimin e pjesëve të caktuara të trupit tonë.

Vala Adili

Shoqëria Civile këtë anashkalim e sheh si problem, zgjidhja e të cilit është futja e lëndës së Edukimit Gjithpërfshirës Seksual në programet shkollore

Aktivistja dhe edukatorja seksuale, Elena Saveska thotë se është e njohur me tejkalimin e temave të riprodhimit të njeriut. Ajo thekson se këto tema injorohen, tallen apo edhe nëse mësohen ajo bëhet në mënyrë sipërfaqësore duke mos lënë hapësirë për pyetje apo diskutim.

Mund të shohim dhe jetojmë pasojat e neglizhimit të përmbajtjeve që janë të rëndësishme për të kuptuar trupin e njeriut dhe proceset e riprodhimit. Ndër pasojat që lidhen me anashkalimin e kësaj pjese, vërehet keqinformimi dhe transmetimi i infeksioneve seksualisht të transmetueshme si dhe mungesa e informacionit për to, shtatzënia dhe veçanërisht në vendin tonë shtimi i shtatzënive të mitura, tabuja dhe turpi për të folur për planifikimin familjar, intimiteti, trupat dhe ndryshimet që ndodhin, keqinformimi për kontracepsionin, abuzimi seksual dhe dhuna, margjinalizimi i personave me HIV ose AIDS ose infeksione të tjera seksuale etj. Sistemi arsimor siç është, e dëshmon dështimin e tij ndër vite. Pjesa e anashkaluar e librit të biologjisë që mund të mësohet përmendësh, meqë ra fjala, është një pjesë fare e vogël dhe jo vetëm që besoj se duhet rishikim për përmbajtjen e shkruar, por mungojnë shumë aspekte, kjo çon në mosnjohje të përmbajtjes, që kanë një rëndësi të madhe për shëndetin seksual dhe riprodhues veçanërisht për nxënësit e asaj moshe dhe mund të kenë pasoja fatale për të ardhmen.

Elena Saveska

Për këtë problem, ajo thotë se kur bëhet fjalë për shëndetin seksual dhe riprodhues te nxënësit, është e rëndësishme të kemi lëndën Edukim Gjithëpërfshirës Seksual.

Me Edukimin Gjithëpërfshirës Seksual, studentët mësojnë për aspektet njohëse, emocionale, sociale dhe fizike të seksualitetit. Edukimi Gjithëpërfshirës Seksual mbulon tema të tilla si: gjinia dhe seksi, shëndeti seksual dhe riprodhues dhe HIV, seksualiteti, dhuna, aspektet civile dhe diskriminimi, imazhi i trupit, marrëdhëniet etj. Edukimi Gjithëpërfshirës Seksual përgatit dhe fuqizon fëmijët dhe të rinjtë me informacion në lidhje me shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues duke u mundësuar atyre të kuptojnë dhe të shijojnë trupin e tyre. Ai u jep atyre informacion jo vetëm për kontracepsionin dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme, por edhe për të drejtat e tyre seksuale dhe riprodhuese, çfarë ndodh nëse shkelen, ku mund të shkojnë dhe për dhunën, njohjen e dhunës, si dhe ngacmimin seksual. Ai gjithashtu flet për lidhjet dhe marrëdhëniet, flet se çfarë janë marrëdhëniet me cilësi të ulët, pajis të rinjtë me informacione se si të marrin vendime në jetën e tyre dmth vendimet e informuara dhe për të dhënë pëlqimin e informuar, që do të thotë se përpara se të marrin atë vendim ose të japin pëlqimin për diçka, ata e kanë informacionin para kohe. Dhe me këtë ne sigurohemi që ata me të vërtetë e dinë se për çfarë po bien dakord, ata e dinë se në çfarë po hyjnë. Ata gjithashtu mësohen se si të kujdesen për shëndetin e tyre dhe si të marrin përgjegjësi për shëndetin e tyre.

Elena Saveska

Në një mendim janë edhe nga Shoqata e Edukimit dhe Kërkimit Shëndetësor- Hera. Ata thonë se përvoja e deritanishme t ka vërtetuar thënien se kapitujt që kanë të bëjnë me trupin e njeriut anashkalohen.

Është e vërtetë që ose është lënë pas dore ose nuk përmendet fare. Nëse lejojmë tema si shëndeti, ndryshimet e trupit, riprodhimi, etj. të studiohen në mënyrë selektive dhe të varen nga vullneti i mësuesve, kemi një problem të madh arsimor dhe të mos kemi shanse të barabarta për të gjithë të rinjtë në mënyrë të barabartë për të pasur qasje në informacione të një rëndësie të madhe për ta dhe shëndetin e tyre psikofizik.

HERA

Nga atje sqarojnë se ky anashkalim sjell një sërë pasojash.

Me eksperiencat e fundit në shkollat ​​e këtij viti, pamë se një pjesë e madhe e të rinjve të moshës 13 dhe 14 nuk e dinë dhe nuk e kanë dëgjuar asnjëherë se çfarë do të thotë pubertet dhe adoleshencë dhe për momentin edhe vetë i përkasin asaj kategorie. Kjo do të thotë që ne u lejojmë të rinjve të mos kenë vetëdije dhe njohuri për trupin e tyre dhe fazat dhe proceset natyrore, dhe kështu nuk dinë të ushqejnë dhe mbrojnë shëndetin e tyre fizik dhe mendor. Prandaj, nuk na habit fakti që në Maqedoni shkalla e aborteve për shkak të shtatzënisë së paplanifikuar tek adoleshentët është 11% dhe është ndër më të lartat në Evropë. Sa i përket përdorimit të mbrojtjes gjatë marrëdhënieve seksuale, 1/3 e të rinjve seksualisht aktivë në Maqedoni nuk kanë përdorur asnjë mbrojtje, dhe shëndeti i burrave dhe vizita te mjeku është ende një temë tabu dhe fatkeqësisht shumë shpesh të rinjtë vizitojnë mjekun kur tashmë është shumë vonë.

HERA

Kjo organizatë thekson se edukimi në kohë është një parandalim i përvojave të padëshiruara te të rinjtë dhe informacioni i gabuar ndonjëherë është më i rrezikshëm se mos informimi. Andaj zgjidhja sipas tyre qëndron te futja e Edukimit Seksual në kurikulat shkollore.

Shteti është gati dhe besoj fort se çdo prind dëshiron më të mirën për fëmijën e tij. Në vend që të rinjtë të përshkruajnë diagnoza dhe të trajtojnë veten, përmes edukimit seksual do të fitojnë zakonin që të shkojnë te mjeku në kohën e duhur, kur e kanë problem t’u drejtohen profesionistëve dhe të kujdesen realisht për shëndetin e tyre. Edukimi seksual bazohet në fakte shkencore, të dhëna empirike dhe praktika të mira kombëtare dhe ndërkombëtare, ndaj jo rastësisht në vendet ku edukimi seksual është pjesë e kurrikulës shkollore, shohim ulje të numrit të shtatzënive të mitur, infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe pabarazitë gjinore.

HERA

Për kundër të dhënave të lartpërmendura, nga Forumi Rinor Arsimor (MOF) thonë se nuk janë të vetëdijshëm për një anashkalim të tillë nëpër shkolla. Por theksojnë se Edukimi Gjithëpërfshirës Seksual duhet të mësohet në shkolla.

Ne me të vërtetë nuk shohim asnjë arsye pse duhet të anashkalohet nga mësuesit dhe profesorët. Mungesa e edukimit seksual gjithëpërfshirës bën që të rinjve t’u mungojnë informacionet bazë, para së gjithash, për shëndetin e tyre riprodhues, si dhe informacione të tjera të rëndësishme që lidhen me seksualitetin, të cilat duhet t’i njohë çdo i ri. Është e nevojshme futja e edukimit seksual gjithëpërfshirës në shkolla me qëllim që të rinjtë të informohen për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues, gjë që do të kontribuojë që të rinjtë të marrin vendime të informuara. Përveç kësaj, kjo do të zvogëlojë tabunë rreth seksit, marrëdhënieve seksuale, orientimit seksual dhe shëndetit riprodhues, një tabu që fatkeqësisht prek të rinjtë të jenë të paarsimuar dhe të vënë në rrezik shëndetin e tyre seksual-riprodhues, për sa i përket marrëdhënieve të padëshiruara, sëmundjeve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënitë e padëshiruara.

Forumi Rinor Arsimor (MOF)

MASH arsyetohet: Nuk jemi të njohur me një dukuri të tillë

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) thonë se mësimdhënësit janë të detyruar të përpunojnë në tërësi përmbajtjet mësimore të propozuar në programin mësimor ndërkaq sipas tyre, informacioni se mësimdhënësit e lëndës së Biologjisë nuk ligjërojnë  përmbajtjet që lidhet me riprodhimin e njeriut nuk korrespondon me situatën reale që Byroja e Zhvillimit të Arsimit ka konstatuar gjatë punës së tyre në terren, gjegjësisht  gjatë vizitave në orët mësimore, në lëndën e Biologjisë.

Përkundrazi, këshilltarët konsiderojnë se në orët në të cilat  trajtohen  temat që kanë të bëjnë me  riprodhimin seksual gjithmonë ngjallin më shumë interes dhe kuriozitet te nxënësit dhe shpeshherë janë dëshmitarë të diskutimeve të frytshme që iniciohen nga vetë nxënësit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës

Ndryshe, Byroja e Zhvillimit të Arsimit sapo ka përfunduar pilotimin e projektit për prezantimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës si lëndë zgjedhore në klasën e nëntë. Në përputhje me planin e projektit, pason përpunimi i vlerësimit të projektit pas pilotimit. Bazuar në rezultatet dhe rekomandimet e vlerësimit, do të ndërmerren hapat e mëtejshëm për zhvillimin e politikave përkatëse arsimore për edukimin gjithëpërfshirës seksual.

Të tjera