Gratë në shkencë, nga diskriminimi historik deri tek ambiciet dhe ëndrrat e pashterura

Gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në shkencë përgjatë historisë, por shpesh janë përballur me barriera të mëdha në rrugën e tyre akademike dhe profesionale. Sipas të dhënave të UNESCO-s, gratë përbëjnë vetëm rreth 30% të komunitetit shkencor global. Pavarësisht përparimeve të konsiderueshme në dekadat e fundit, hendeku gjinor vazhdon të mbetet një sfidë në shumë vende të botës.

Të dhënat e Organizatës së Kombeve të Bashkuar (OKB) tregojnë se:

  • Grave zakonisht u jepen grante më të vogla kërkimore sesa kolegët e tyre meshkuj dhe, ndërsa ato përfaqësojnë 33.3% të të gjithë studiuesve, vetëm 12% e anëtarëve të akademive kombëtare të shkencës janë gra.
  • Në fusha të avancuara si inteligjenca artificiale, vetëm një në pesë profesionistë (22%) është grua.
  • Pavarësisht mungesës së aftësive në shumicën e fushave teknologjike që nxitën Revolucionin e Katërt Industrial, gratë ende përbëjnë vetëm 28% të të diplomuarve në inxhinieri dhe 40% të të diplomuarve në shkencat kompjuterike dhe informatikë.
  • Studiueset gra priren të kenë karriera më të shkurtra dhe më pak të paguara. Puna e tyre është e nënpërfaqësuar në revista të profilit të lartë dhe ato shpesh kalohen për t’u promovuar.
Gratë në Shkencë në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut, situata reflekton trendet globale, megjithëse me disa veçori të veçanta. Sipas të dhënave të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut, përfaqësimi i grave në fushën e shkencave natyrore dhe teknologjike është ende i ulët në krahasim me burrat. Edhe pse një numër i madh i vajzave ndjekin studimet në degë shkencore, sfidat e integrimit të tyre në tregun e punës dhe ngjitja në pozita akademike mbeten evidente.

Sipas raportit “Gratë dhe Burrat në Maqedoninë e Veriut” të publikuar nga MakStat në vitin 2023 në vendin tonë tregon se edhe pse numri i grave të diplomuara në shkencat natyrore dhe teknologjike është i lartë ato vështirë se kanë pozita të larta në vendet e punës ose ndodh dhe që të mos jenë aktive në tregun e punës. Statistikat tregojnë se në vitin 2020, 61% e diplomuarve në shkencat matematiko-natyrore ishin gra ndërsa në shkencat tekniko-teknologjike 45% e të diplomuarve ishin gra. Në vitin 2021 në shkencat matematiko-natyrore numri i të diplomuarve gra ishte 71% ndërsa burra ishin 29% përderisa në shkencat tekniko-teknologjike të diplomuara gra ishin  33% ndërsa burra 67%. Një vit më vonë, pra 2022, përqindja e diplomuarve në shkencat matematiko-natyrore ishte 61% gra dhe 39% burra ndërsa në shkencat tekniko-tekonologjike 41% gra dhe 59% burra.

Institucionet arsimore dhe qendrat kërkimore po ndërmarrin hapa për të nxitur përfshirjen e vajzave në fushat STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë). Gjithashtu, ekzistojnë iniciativa të ndryshme që promovojnë mentorimin dhe mbështetjen për gratë e reja që synojnë karrierë në shkencë. Sidoqoftë, mentaliteti shoqëror dhe sfidat e financimit të projekteve shkencore mbeten ende një pengesë për zhvillimin e plotë të potencialit të grave në këtë fushë.

Kur dashuria për shkencën të çon të studiosh mijëra km larg familjes

Sara Shaqiri është një studente e shkëlqyer e gjenetikës në universitetin më prestigjoz të kësaj fushe, me ambicie të madhe që të zhytet edhe më shumë në ujërat akademikë dhe të bëhet një shkencëtare e sukseshme.

“Unë jam studente në Universitetin e Mançesterit, në vitin e katërt të studimeve në Gjenetikë, e cila është një shkencë që merret me studimin e gjeneve, trashëgiminë e tyre ndër breza, sëmundjet gjenetike – si shkaktohen dhe trashëgohen ato – si evoluojnë gjenet dhe tiparet”.

Pasioni i saj për gjenetikën nisi që në shkollë të mesme falë entuziazmit me të cilën e shpjegonte lëndën profesori i saj.

“Dëshira për të studiuar gjenetikën ka lindur falë profesorit tim të biologjisë në shkollën e mesme, z.Tamer Salko, i cili, me pasionin dhe mënyrën si e ligjëronte lëndën e biologjisë, sidomos pjesën e gjenetikës, më ngjalli kureshtjen për të mësuar më shumë. Fillova të hulumtoj më thellë mbi këtë fushë dhe, me kalimin e kohës, e kuptova se nuk e shihja veten në asnjë fushë tjetër”, thotë Sara.

Pasioni i Sarës për gjenetikën dhe për shkecën ishte qe aq madh sa bëri që ajo të zgjedh të studiojë në universitetin më të mirë në këtë fushë. Në sytë e saj, bota e shkencës është një aventurë e pafundme zbulimesh, ku, edhe kur përpiqesh të shuash kureshtjen, ajo vazhdon të rritet dhe të shtyn të hulumtosh më shumë.

“E bukura është se shkenca nuk ka një fund; edhe kur mendon se ke gjetur përgjigjen e pyetjes tënde, ajo hap derën për më shumë pyetje që presin përgjigje dhe vazhdimisht evoluon mes ideve, eksperimenteve dhe zbulimeve. Asnjë ditë nuk ngjason me tjetrën dhe çdo ditë është një mundësi për të mësuar diçka të re. Padyshim, më e rëndësishmja është se shkenca ofron mundësi për të zhvilluar mjekësinë, bujqësinë, për të ruajtur biodiversitetin – pra, është një fushë që mund të aplikohet në çdo aspekt të jetës sonë të përditshme. Shkenca është një sfidë në vetvete dhe, në një fushë kaq rigoroze, ndjehet presioni për të qenë i përkryer. Megjithëse dështimi është pjesë e procesit në eksperimentet shkencore, jo gjithmonë flitet hapur për të, dhe unë e kam pasur të vështirë ta pranoj. Edhe pse në shkencë edhe dështimet llogariten si përfundime (rezultate), natyra ime e kishte të vështirë t’i pranonte. Duke pasur parasysh prirjen time për t’u përpjekur për përsosmëri, këto pengesa kanë qenë shpesh zhgënjyese. Kjo, në fillim, më ka ndikuar edhe në gjetjen e një ekuilibri midis jetës personale dhe asaj profesionale, si dhe në ndarjen e kohës për veten, ndërsa punoj për të arritur qëllimet e mia”, thekson Sara.

Ndonëse Sara është e vetëdijshme për mentalitetin e kufizuar të shoqërisë tonë kur është në pyetje e ardhmja profesionale e një vajze ajo shprehet se është me fat për mbështetjen e madhe që ka nga familja për t’i tejkaluar paragjykimet e mundshme.

“Gratë në rrethin tim janë në fusha që nuk llogariten “ideale” për gratë sipas stereotipeve të shoqërisë, dhe mendoj se, ndoshta jo me shpejtësinë që do të kishim dashur, por gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe të lëvizin. Megjithatë, kam pasur raste kur më kanë pyetur për planet e mia në të ardhmen dhe më kanë thënë se mjafton kjo diplomë, fillo të mendosh për të krijuar familje, nuk të duhet më shumë se kaq. Kjo mua nuk më bëri të humbas ambiciet e mia dhe as nuk më ka bërë përshtypje, pasi jam rritur me frymën se duhet të jem luftarake, të arrij ambiciet dhe qëllimet e mia duke garuar gjithmonë me veten dhe jo për të luftuar që të arrij ose t’ia kaloj një burri. E kam moto në jetë një thënie të Timothy Leary, e cila thotë: “Gratë që kërkojnë të jenë të barabarta me burrat, nuk kanë ambicie”, sepse të qenurit burrë, sipas bindjeve të mia, nuk është një parametër matës për sukses. Gratë duhet të jenë të lira të ndjekin pasionet dhe ambiciet e tyre pa pasur rezerva apo frikë dhe jo duke ndjekur rendin kronologjik të jetës së një gruaje, ashtu siç e ka caktuar shoqëria për ne”, shprehet Sara.

Rritja e përfaqësimit të grave në shkencë nuk është vetëm çështje e barazisë gjinore, por edhe një nevojë për përparimin e shoqërisë. Kontributi i grave në kërkimin shkencor sjell perspektiva të reja dhe inovacione të rëndësishme. Është detyrë e institucioneve, familjeve dhe shoqërisë në tërësi të mbështesin vajzat dhe gratë që ndjekin këtë rrugë, duke krijuar një mjedis të barabartë dhe inkurajues për brezat e ardhshëm të shkencëtareve.

“Unë vazhdoj ta shoh veten në fushën e gjenetikës dhe kam ambicie për t’u zhvilluar si shkencëtare në këtë fushë. Nëse gjërat shkojnë sipas planeve të mia, mendoj se pas 5 vitesh do të jem në ujërat akademike dhe do të vazhdoj të ndërtoj mbi veten për të përmbushur kriteret e një shkencëtareje të suksesshme. Shpresoj të jem pjesë e një laboratori ku mund të fokusohem në studimin e mutacioneve, të kontribuoj dhe të bëj diçka të dobishme për shoqërinë. Gjithashtu, do të vazhdoj t’i inkurajoj dhe t’i mbështes vajzat që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe të mos bien pre e paragjykimeve, sepse vetëm duke luftuar për to, ëndrrat gjithmonë bëhen realitet”

Rrugëtimi i Sarës në fushën e gjenetikës është i udhëhequr nga pasioni, ambicia dhe dëshira për të kontribuar në shkencë dhe shoqëri. Pavarësisht sfidave dhe paragjykimeve me të cilat përballen gratë në shkencë, ajo beson fuqishëm se përkushtimi dhe puna e palodhur janë çelësi për të arritur suksesin.

“Unë e shoh 11 shkurtin si një ditë për të kujtuar të gjitha ato shkencëtare të cilat, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive me të cilat janë përballur, kanë punuar dhe luftuar për të kontribuar në shoqëri me zbulimet e tyre shkencore. Edhe pse, për shkak të përkatësisë së tyre gjinore, jo gjithmonë janë vlerësuar sa duhet, falë atyre grave, shkencëtaret e reja sot e kanë rrugëtimin më të lehtë për të realizuar synimet e tyre dhe për të qenë në pozicionin e merituar në fushën e shkencës”, përfundon Sara.

Është thelbësore që vajzat dhe gratë të mbështeten dhe të inkurajohen për të ndjekur ëndrrat e tyre, pa u kufizuar nga pritshmëritë e shoqërisë. Duke ndjekur shembullin e shkencëtareve që hapën rrugën për brezat e rinj, Sara dhe shumë vajza tjera synojnë të ecin përpara me të njëjtin guxim dhe përkushtim.

“Ky material është financuar plotësisht ose pjesërisht nga UK International Development dhe The Kvinna till Kvinna Foundation, të cilët jo domosdoshmërisht pajtohen me opinionet e shprehura këtu. Përgjegjës për përmbajtjen është vetëm autori.”

Të tjera